Arrestimi i gazetarëve, ShGM: Qëllimi është të frikësohen mediat
Shoqata e Gazetarëve në Maqedoni e dënon ashpër paraburgimin e kameramanit nga TV21....

Shoqata e Gazetarëve në Maqedoni e dënon ashpër paraburgimin e kameramanit nga TV21, Ibrahim Mahmutit, dhe fotoreporterin nga Kosova, Blerim Uka, që raportonin dje për gjykimin në rastin “Lagja e trimave”.
Ky sulm ndaj lirisë së mediave ndodhi më 2 nëntor, në ditën ndërkombëtare kundër mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve.
“Sjellja e tillë e institucioneve është e papranueshme dhe ka për qëllim t’i frikësojë gazetarët dhe të nxitë vetëcensurimin kur raportojnë për procese të caktuara gjyqësore”,- thonë nga ShGM.
Nga shoqata thonë se do ngrenë ankesë në MPB për mbajtjen e gazetarëve në stacionin policor për gjashtë orë pa iu dhënë mundësia që të lajmërojnë redaksitë dhe familjet e tyre se janë në paraburgim.
“Presim që policia seriozisht të hetojë këtë incident dhe të shqiptojë sanksione përkatëse. Vetëm me dialog të hapur të gazetarëve me institucionet përkatëse, do të ndryshohet praktika e keqe e mosndëshkimit të dhunës ndaj gazetarëve”,- thonë nga ShGM.
