Rasti “Kumanova”, Haradinaj: Hetim ndërkombëtar për rastin
Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Shkup, për dënimin me 746 vjet burg të 37 personave....

Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Shkup, për dënimin me 746 vjet burg të 37 personave të akuzuar për rastin “Lagjja e trimave”, 19 prej të cilëve janë shtetas kosovarë, ka reaguar edhe Kosova.
Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar, duke kërkuar që drejtësia të vihet në vend, me zbardhjen e tërësishme të të gjithë rastit. “Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”,- thuhet në deklaratën e Haradinajt.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thirrur në konsulta të brendshme ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, për të njëjtën çështje është thirrur për sqarim ambasadori i Republikës së Maqedonisë në Kosovë.
