Rritja e rrogave në tre sektorë, AOGJSh: Diskriminohen sektorët e tjerë publikë

03.11.2017 16:20

Sindikata e Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave.....

Sindikata e Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave, thotë se rritja parciale e rrogave vetëm për të punësuarit në arsim, mbrojtje dhe shëndetësi, krijon revoltë dhe pakënaqësi tek veprimtaritë e tjera në sektorin publik, administratë, shërbimin gjyqësor dhe atë të prokurorisë publike.

Ata kërkojnë nga Ministria e Financave që urgjentisht të takohet me sindikatat e sektorit publik, për të gjetur zgjidhje gjerësisht të pranueshme për të gjithë të punësuarit në këtë  sektor.

Nga kjo sindikatë theksojnë se rrogat e shërbimit gjyqësor dhe prokurorial jo vetëm që nuk janë rritur në vitet e fundit, por u është shkurtuar edhe e drejta ligjore e pagesës së kompensimeve të rrogës.

“Për këto arsye në vitin 2016 pati grevë prej 60 ditëve. E njëjtë është gjendja edhe për të punësuarit në entet ndëshkuese-përmirësuese, policinë pyjore, policinë e burgut dhe atë gjyqësore”,- thekson sindikata, duke shtuar se rrogat e nëpunësve të administratës janë rregulluar me ligj e jo me marrëveshje kolektive, dhe një gjë e tillë pamundëson që sindikata të negociojë me qeverinë për çfarëdo lloj rritje.