Maqedoni
Ndryshimet në çmimin e ujit, autoritetet: Përfshihen të gjitha harxhimet reale
03.11.2017 16:44
Nga janari do të ketë ndryshime në çmimin e ujit...

Revidimi i politikave për tarifën e ujit ka si qëllim përllogaritjen e të gjitha shpenzimeve reale në çmimin e përgjithshëm të tatimit të ujit, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
“Duhet që nga 1 janari 2018 të kenë tarifë që do të jenë në harmoni me ligjin, që parasheh të gjitha shpenzimet reale të jenë të përfshira në çmimin e përgjithshëm të shërbimeve nga uji ku dhe do të përmirësohet efikasiteti i ndërmarrjeve publike komunale”,- deklaroi koordinatorja e projektit në Ministrinë e Ambientit, Jadranka Ivanova.
Komisioni Rregullator i Energjetikës thotë se shumë komuna kanë shprehur nevojën për rritjen e tarifës së ujit.
“Ne jemi gati t’i përgatisim vendimet, të japim notën e cili do të jetë çmim minimal dhe maksimal që mund të shfrytëzohet, dhe në vijën e fundit vendimi do të merret nga ana themeluesve të ndërmarrjeve publike komunale, pra nga kryetarët dhe këshillat komunalë, si dhe nga qeveria”,- tha kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës, Dimitar Petrov.
Faturat e reja pritet të jenë 3 për qind më të larta se aktualet, gjithsesi vendimi përfundimtar nga KRRE do të merret më 15 nëntor. Atëherë do të dihet se sa saktësisht do të mund të jetë lartësia e tarifës së re, e më pas u mbetet këshillave komunalë të votojnë për tarifat e reja.
Për momentin, Komisioni nuk bën të ditur se cilat komuna do të paguajnë faturat më të shtrenjta të ujit e cilat më të lira. Ndërmarrjet komunale duhet të zbatojnë ndërkohë metodologji të reviduar për përcaktimin e tarifave dhe të përforcojnë kapacitetet e sistemit për inspektime për zbatimin e metodologjisë së tarifës së re. Projekti është financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të programit IPA, me vlerë prej 1.800.000 euro.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
