Maqedoni

Sulmi ndaj Ziadin Selës, PThP: Akuzë për “vrasje” për 10 të akuzuar

03.11.2017 17:20

Prokuroria Themelore Publike ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 aktakuzën kundër....

Prokuroria Themelore Publike ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 aktakuzën kundër dhjetë personave që akuzohen për sulmin në Kuvendin Republikan më 27 prill.
 
Ata akuzohen për veprën penale “vrasje”, sipas nenit 123, paragrafi 1, në lidhje me nenin 19 dhe me nenin 22 të Kodit Penal. Të akuzuarit, siç kumton prokuroria, kanë tentuar të vrasin kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
 
“Një pjesë e të akuzuarve kanë përdorur mjete të forta të cilat i kanë hedhur në drejtim të Zijadin Selës, duke i shkaktuar kështu lëndime serioze, të rrezikshme për jetën e tij. Të tjerët, duke përdorur grushte dhe shqelma, kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen”,- thuhet në kumtesën e Prokurorisë.
 
Njëkohësisht është parashtruar edhe kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit për 9 të akuzuarit dhe masa e paraburgimit shtëpiak për të dhjetin.
 
Prokuroria vlerëson se ekzistojnë baza ligjore për vazhdimin e masës së kërkuar të sigurisë, pasi ka arsye për të besuar se të pandehurit mund të largohen jashtë vendit ose të ndikojnë tek dëshmitarët e rastit. Prokuroria po heton edhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë rast, por identiteti i të cilëve për momentin është i panjohur.
 
BESIM ABDULLAI