Maqedoni

Ekstradimi i të dyshuarve të PPS-së, Saliji: Këtyre ditëve nisim kërkesën në Greqi

03.11.2017 17:55

Gjykata Penale më 1 nëntor ka kompletuar dhe dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë dokumentacionin...

Gjykata Penale më 1 nëntor ka kompletuar dhe dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkosit nga Greqia në Maqedoni. Ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji, thotë se kërkesa për ekstradim të tyre zyrtarisht do të nënshkruhet dhe dërgohet gjatë këtyre ditëve.
 
“Ministria e Drejtësisë pas marrjes së njoftimit nga ana e MPB-së, menjëherë deri tek gjykata kompetente parashtroi kërkesë për kompletimin e lëndës. Sipas informacioneve të mija, gjykata kompetente tashmë veç i ka dorëzuar dokumentet e nevojshme dhe tani mbetet që në ditët në vijim të nënshkruhet edhe kërkesa zyrtare për ekstradimin e dy të dyshuarve”,- deklaroi ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji.
 
Grujevski dhe Boshkoski janë të akuzuarit në rastet “Fortesa 1 dhe 2” dhe “Target”, e për përgjim ilegal dhe për shkatërrim të sistemeve për përgjim, të ngritura nga PPS.
 
Pasi u bënë të pakapshëm për policinë me vënien në fuqi të urdhërarresteve ndaj tyre të kërkuara nga PPS, ata u arratisën drejt Greqisë dhe u arrestuan në aeroportin në Selanik më 18 tetor, gjatë përpjekjes që me pasaporta të rrejshme bullgare të largohen me aeroplan për në Budapest. Grujevski dhe Boshkoski janë në arrest ekstradues në Selanik.
 
FLUTURA LATIFI