Maqedoni
Akuzat e Taravarit, Bejta: Qytetarët presin zbatimin e programit
03.11.2017 17:57
Ish-kreu i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, i ka hedhur poshtë si të pabaza akuzat e pasardhësi të tij, Arben Taravarit, lidhur me arkën e kësaj komune...

Ai përmes një reagimi me shkrim ka deklaruar se Taravari nëpërmjet akuzave mundohet ta mbulojë paaftësinë e tij, ndërkaq shlyerja e borxheve ndaj firmave është obligim ligjor, Bejta ka shkruar:
“Tha që unë paskam shlyer pagesat ndaj firmave, të cilat në përputhje më Ligjin për Furnizime Publike, kanë fituar dhe kanë realizuar punët në terren. Është plotësisht ligjore dhe është obligim i institucionit që të përmbyll obligimet ndaj firmave që kanë realizuar punët, sipas lëndës tenderike”.
Lidhur me pagat e të punësuarve, Bejta ka deklaruar:
“Akuzoi që komuna nuk paska mjete për pagesën e rrogave të administratës. Unë si kryetar komune, administratorëve dhe këshilltarëve komunalë, në mandatin tim, ua pagova të gjitha rrogat, deri në muajin e fundit. Tani ai është kryetar dhe ai duhet të kujdeset që mos t’i ofendojë administratorët dhe t’ua paguajë rrogat rregullisht”.
“Qytetarët ia dhanë besimin dhe ata presin që ai të realizojë premtimet”,- ka shkruar më tej Bejta në reagimin e tij me shkrim.
Dje, kryetari i ri i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, akuzoi paraardhësin e tij, Nevzat Bejtën, se ka zbrazur arkën e komunës për të paguar në tre ditët e fundit të mandatit firmat e afërta me të, duke mos lënë mjete financiare as për pagën mujore të të punësuarve dhe se e ka lënë komunën të zhytur në borxh prej mbi 100 milionë denarësh.
NAIM RAMADANI
