Maqedoni
Zgjedhjet lokale, pas KShZ-së partitë i drejtohen Administratives
03.11.2017 18:06
Partitë politike, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, paralajmërojnë se do të ngrenë padi në Gjykatën Administrative...

Partitë politike, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, paralajmërojnë se do të ngrenë padi në Gjykatën Administrative kundër vendimeve të KShZ-së, e cila, një ditë më parë, refuzoi të gjitha kundërshtimet e partive për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Partitë nuk japin detaje nëse do të ngrenë padi për vendime të caktuara ose për të gjitha vendimet e KShZ-së.
“Po, do ta vazhdojmë procedurën”,- përgjigjen shkurt nga Lëvizja BESA, ndërkaq Aleanca për Shqiptarët thotë se janë në proces të përgatitjes së padive që do të parashtrojnë në Gjykatën Administrative.
Konform Kodit Zgjedhor, partitë kanë mundësi të dorëzojnë paditë e tyre në Gjykatën Administrative brenda 24 orësh nga pranimi i vendimit.
Një ditë më parë, KShZ, i hodhi poshtë të gjitha ankesat e parashtruara për procedurën e votimit, përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale. Nga gjithsej 89 ankesa të parashtruara nga BESA, 84 kundërshtime u shqyrtuan dhe u hodhën poshtë si një, pasi kishin pohime të njëjta për zgjedhjet në komunën e Çairit.
KShZ i hodhi poshtë edhe katër kundërshtimet e tjera të kësaj partie, ndërkaq, një kundërshtim u tërhoq gjatë procesit nga parashtruesi. KShZ hodhi poshtë edhe 13 ankesat e parashtruara nga Aleanca për Shqiptarët për votimin në Strugë, duke i cilësuar ato si të pabaza.
