Maqedoni

Rasti “Fortesa 2”, PPS: dënim maksimal për Grujovskin

06.11.2017 14:47

Prokurorja Speciale, Lençe Ristoska, ka kërkuar dënim maksimal për ish-shefin e Drejtorisë së Pestë, Goran Grujevski, për rastin “Fortesa 2”...

Prokurorja Speciale, Lençe Ristoska, ka kërkuar dënim maksimal për ish-shefin e Drejtorisë së Pestë, Goran Grujevski, për rastin “Fortesa 2”, nën akuzën se kanë shkatërruar dokumente të përgjimit të paligjshëm, ndërsa për gjashtë zyrtarët tjerë nga DSK, u propozuan dënime alternative, gjegjësisht dënime me kusht.
 
Sa u përket të akuzuarve të fundit, Ristovska theksoi se pa marrë parasysh nëse të njëjtit kanë vendosur me urdhër apo jo, i njëjti është dashur të refuzohet pasi ka qenë veprim i kundërligjshëm. Ajo kërkoi dënim me kush për shkak se, siç tha, bëhet fjalë për të punësuar të cilët deri më tani nuk kanë asnjë veprim të kundërligjshëm në punë.
 
“Më në fund mbaruan seancat kryesore për gjykimin në lëndën e njohur në publik si “Fortesa 2”. I dhamë fjalët tona përfundimtare dhe analizën e dëshmive të prezantuara gjatë shqyrtimeve kryesore dhe jemi të bindur në arsyetueshmërinë e aktakuzës. Presim aktvendim me të cilin do të dënohen të akuzuarit”,- deklaroi prokurorja e PPs-së, Lençe Ristovska.
 
Avokati i Goran Grujevskit, Lupço Shvrgovski, thekson se i akuzuari duhet të lirohet nga akuza, pasi, sipas tij, Kodi i ri Penal në dallim nga ai paraprak nuk parasheh sanksion për sjelljen e të akuzuarit i cili do të shkatërron apo dëmton, apo në tjetër mënyrë i bën të pashfrytëzueshme dokumentet zyrtare, librat dhe shkrimet.
 
Mbrojtja thekson se në këtë rast mund të ketë përgjegjësi eventuale kundërvajtëse, por jo penale.
 
“Nuk mund të ekzistojë vepër penale për shkak se mungon elementi thelbësor i veprës penale. Pa atë element nuk ka vepër penale për askënd pa marrë parasysh se çfarë vepra ka kryer. Ai mund t’i plotësojë të gjitha elementet e veprës penale, por nëse mungon një, atëherë nuk kemi vepër penale dhe nuk mund të bartet përgjegjësi”,- tha avokati mbrojtës, Lupço Shvrgovski.
 
Sipas PPS-së, ish-shefi i DSK-së, Grujevski, ka kryer veprën penale duke keqpërdorur pushtetin dhe pozitën e tij.
 
Ai ka urdhëruar dhe organizuar shkatërrimin e dokumenteve zyrtare të lidhura me përgjimet e paligjshme, ka tentuar që t’i fshehë gjurmët se kush dhe si ka përgjuar dhe ta vështirësojë hetimin, ndërsa pastaj ka iku nga shteti që të shmang ballafaqimin me veprën penale. I akuzuari i parë, Grujevski, është në paraburgim ekstradues në Greqi, së bashku me ish-kolegun e tij nga DSK, Nikolla Boshkoski, i cili në “Fortesa 2” duhej të paraqitej si dëshmitar.
 
Të dy, muajin e kaluar u arrestuan me pasaporta të rrejshme në aeroportin në Selanik gjatë tentimit që të largohen për në Budapest. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI