Maqedoni
Zbatimi i reformave në gjyqësi, vlerësim sistematik, në bazë të kritereve
06.11.2017 15:23
Njësia për matjen e performancave të gjyqësisë, që u promovua nga Qendra për Hulumtime Juridike...

Njësia për matjen e performancave të gjyqësisë, që u promovua nga Qendra për Hulumtime Juridike, ka për qëllim t’i ndihmojë sistemit gjyqësor në evaluimin e reformave në gjyqësi.
Tani e tutje, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor do të bëjnë matje të mënyrës së realizimit të reformave.
Sipas ministrit të Drejtësisë, Bilen Saliji, për herë të parë sistemi gjyqësor do të mundësojë vlerësim sistematik të reformave në bazë të kritereve të përcaktuara me saktësi.
“Vizioni i Maqedonisë për anëtarësim në BE është forca shtytëse e cila do t’u mundësojë përgatitje paraprake që të gjithë bashkërisht, në mënyrë aktive dhe pa kushte, të përballemi me sfidat që na presin. Ministria e Drejtësisë fuqishëm mbështet nismën për realizimin e reformave në sistemin gjyqësor”,- deklaroi ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji.
Ambasadori i Britanisë në Maqedoni, Carls Garet, dhe kryetarja e Qendrës për Hulumtime, Lidija Stojkova - Zafirova, konsiderojnë se analiza për mënyrën e punës së sistemit gjyqësor do të mundësojë identifikimin e mënyrave se si të bëhen përmirësime dhe do mundësojë zbatim të unifikuar të ligjeve.
“Njësia matëse do të mundësojë të përmirësohet cilësia e punës në sistemin gjyqësor, do të ketë përfitime për të gjithë qytetarët, do t’u ndihmojë qeverive të punojnë për qytetarët, gjykatave që të punojnë në mënyrë efektive, do mundësojnë të dëgjohet zëri i sektorit qytetar dhe do mundësojë që bizneset të jenë profitabile”,- tha ambasadori i Britanisë në Maqedoni, Çarls Garret.
“Analiza e punës së sistemit gjyqësor ishte e patjetërsueshme, sepse për të gjitha reformat që realizohen deri më tani asnjëherë nuk është bërë vlerësim se çka është punuar, cilat janë sukseset dhe dështimet, dhe si të përmirësohen gjërat në këtë drejtim”,- theksoi kryetarja e Qendrës për Hulumtime, Lidija Stojkova – Zafirova.
Njësia matëse është punuar nga Qendra për Hulumtime Juridike në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Gjyqësor si pjesë e programit për përmirësimin e cilësisë së sundimit të së drejtës në Maqedoni, me përkrahje nga Ambasada e Britanisë.
FLUTURA LATIFI
