Maqedoni

“Transportuesi 1”, shtyhet seanca për më 13 dhjetor

06.11.2017 15:49

U anulua seanca gjyqësore për rastin “Transportuesi 1”, në të cilin PPS akuzon ish-kryetarin e komunës së Manastirit, Vlladimir Talevskin...

U anulua seanca gjyqësore për rastin “Transportuesi 1”, në të cilin PPS akuzon ish-kryetarin e komunës së Manastirit, Vlladimir Talevskin, dhe 22 të tjerë për manipulime me tenderët për transportin e nxënësve.
 
Gjykatësja, Lidija Petrovska, nuk filloi me shqyrtimin kryesor për shkak të mungesës së njërit prej të akuzuarave. Por, caktimi i seancës së radhës u kthye në një mision gati të pamundur. Xhimi Micevski, njëri prej të akuzuarve në këtë lëndë, insistonte për mirëkuptim dhe shtyrje të seancës së caktuar për më 13 dhjetor me arsyetimin se ka kontrata paraprake për dy turne në Australi dhe Europë, dhe nëse ato nuk realizohen, do të duhet të paguajë rreth 50 mijë euro gjobë.
 
Prokurorët thonë se ai e ka ditur që më herët se është i akuzuar, ndërkohë që mbrojta thotë se edhe PPS ka qenë e njoftuar për udhëtimet. Gjykatësja Petrovska, për shkak të volumit të madh të lëndës dhe anulimeve të shumta, propozon të bëhet ndarja e procedurës gjyqësore dhe përfaqësimi ndarës i të akuzuarve. Për PPS-në kjo është e papranueshme. 
 
“Anulimi i  seancës gjyqësore për shkak të arsyeve personale, është i papranueshëm për ne. Jemi të mendimit gjithashtu se nuk ka kushte dhe arsye të vërteta për t’i ndarë procedurat gjyqësore për asnjërin prej të akuzuarve dhe për t’i anuluar seancat e radhës. Ne do të bëjmë gjithçka që të fillojë sa më parë shqyrtimi kryesor”,- u shpreh prokurori special, Trajçe Pellivanov.
 
Shqyrtimi kryesor për “Transportuesi 1” është caktuar për më 13 dhjetor të këtij viti, ndërsa seancat maratone janë caktuar gjithashtu edhe për më 23, 25 29 dhe 31 janar të vitit të ardhshëm.
 
Ish-kreu i Manastirit, Vlladimir Tallevski, dhe 22 persona të tjerë akuzohen për organizim joligjor të transportit të nxënësve në komunën e Manastirit dhe për keqpërdorim të parave buxhetore në vlerë prej 360 mijë eurove. Muajin e kaluar, PPS hapi rastin e ri “Transportuesi 2”, ku Tallevski përsëri dyshohet për abuzim të pozitës zyrtare me tenderë joligjorë për transportin e nxënësve në vitet shkollore 2013/2014 dhe 2015/2016.
 
REXHEP QAMILI