Ekonomi
Tevdovski shpalos propozim-buxhetin në OEM, OEM: analiza tremujore për investimet kapitale
06.11.2017 16:06
Qeveria ka prezantuar propozim-buxhetin 2018 para komunitetit të biznesit...

Edhe pse anëtarët e Odës Ekonomike të Maqedonisë janë të shqetësuar se rritja e akcizës së naftës do të ndikonte në konkurrencën e produkteve, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, thotë se rritja e akcizës është në përputhje me standardet europiane, do të sjellë 26 milion euro, por sërish çmimi i naftës mbetet më i liri në rajon. Tevdosvki ka sqaruar edhe rritjen e bazës maksimale të pagesës së kontributeve.
“Ajo që duhet të dijë opinioni është se edhe përskaj rritjes së akcizës, çmimi i naftës do të vazhdojë të jetë më i liri në rajon. Gjëja e dytë, normat e kontributeve do mbeten të njëjta. Ne këtu bëjmë vetëm një korrektim, ajo është që të rritet baza maksimale e pagesës së kontributeve, për momentin është 12 rroga mesatare, propozimi ynë është që të jetë 16 rroga mesatare, kjo do të ishte edhe më e drejtë si dhe do të mbushë buxhetin”,- deklaroi ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
Nga OEM kërkojnë që qeveria të mbajë përgjegjësi dhe çdo tre muaj të bëjë analiza në lidhje me realizimin e investimeve kapitale.
Sipas Odës, pozitiv është fakti që investimet kapitale në propozim - buxhetin janë në rritje, por qeveria duhet të angazhohet që ato të realizohen në tërësi, një praktikë kjo që ka munguar. Kërkesa e tillë për ministrin e Financave është e pranueshme.
“Absolutisht është i pranueshëm propozimi që të bëhen analiza të investimeve kapitale çdo tre muaj dhe do ta propozojmë si ide me qëllim që të gjendet zgjidhje sistematike në këtë drejtim”,- u shpreh ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
Në buxhetin e vitit 2018 janë të parapara mjete për rritje të rrogave për ushtrinë 10%, 5% për punonjësit shëndetësorë dhe të punësuarit në arsim si dhe për punësime të reja në çerdhe. Janë të planifikuara 17, 8 milion euro për mbështetje të kompanive vendore.
Me buxhetin do të ndërtohet autostrada Demir Kapi - Smokvicë, rruga Gradsko - Drenovo, do të investohet në infrastrukturën hekurudhore dhe në gazifikimin.
ERSAN PAJAZITI
