Buxheti i Qytetit të Shkupit, Shilegov: Gjetëm marrëveshje prej 32 milion eurosh
Qyteti i Shkupit përballet me kuadër administrativ të pakualifikuar dhe kryetari i ri i kryeqendrës....

Qyteti i Shkupit përballet me kuadër administrativ të pakualifikuar dhe kryetari i ri i kryeqendrës, Petre Shilegov, premton se do ta profesionalizojë administratën e Shkupit me masat afatmesme që do të ndërmerren.
Fillimisht Shilegov paralajmëroi ndryshim të orarit të punës nga 7:30 në 19:30 me dy pauza ndërmjet dhe sistem një sportelesh për shërbimet administrative me qëllim të shpejtimit dhe thjeshtësimit të procedurave.
Shilegov ka demantuar deklaratat e paraardhësit të tij, Koce Trajanovski, se kasa e komunës ka qenë plot në momentin e pranim-dorëzimit të postit.
“Paraardhësi im tha se komunën e ka lënë me para, por me marrëveshjet e nënshkruara komuna ka harxhime prej 32 milionë eurosh. Punojmë për shkurtimin e këtyre marrëveshjeve nëse është e mundur, që të mos ndodhë që vitin e ardhshëm komuna të punojë për të kthyer borxhet e Nikolla Gruevskit”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
ULJA E NDOTJES NË KRYEQYTET, SHILEGOV: PËR 10 DITË, DALIM ME MASA KONKRETE
Nga 15 nëntori, ndërkohë, do të dilet edhe me planin e tërësishëm për luftën kundër ndotjes në kryeqendër.
“Do të ketë aksione për pastrimin e Shkupit. Ka një sërë masash që do të ndërmerren e që do të prezantohen për dhjetë ditë. Një ndër masat është transporti publik pa pagesë”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Shilegov vlerëson se ka nevojë serioze edhe për ndryshimin e sistemit të nxjerrjes së kartelave elektronike për transportin publik, për çmimin dhe shërbimet e tjera, por pa dhënë përgjigje konkrete se cilat do të jenë këto ndryshime. (Gyltene Sinani, TVM2)
