Rrëzohet helikopteri, humb jetën princi saudit, hetohen shkaqet
Princi i Arabisë Saudite, Mansour bin Muqrin, zëvendësguvernator i krahinës së Asir....

Princi i Arabisë Saudite, Mansour bin Muqrin, zëvendësguvernator i krahinës së Asir, ka vdekur bashkë me disa zyrtarë tjerë të lartë, pasi që helikopteri me të cilin po fluturonin për një inspektim në zonë është rrëzuar pranë kufirit me Jemenin. Dyshimet e para janë se helikopteri mund të jetë rrëzuar nga Jemeni, pasi Arabia Saudite prej kohësh po udhëheq një operacion kundër rebelëve Huthi dhe ka bombarduar disa zona në Jemen.
Nuk përjashtohet as mundësia e një eliminimi politik, meqë princi i vrarë është djali i një ish-princi të kurorës, pra ai mund të ishte trashëgimtari i fronit në të ardhmen.
Këtë fundjavë, një spastrim anti-korrupsion vuri në pranga dhjetëra njerëz, duke përfshirë 11 princa dhe katër ministra, në një masë që shihet për të çimentuar fuqinë e trashëgimtarit të fronit. Trupi anti-korrupsion udhëhiqet nga Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman.
Fati ekuipazhit të helikopterit mbetet i paqartë, por kanali i lajmeve saudite, “Okaz”, tha se raporte të pakonfirmuara tregonin që nuk kishte të mbijetuar.
