Maqedoni

Mblidhni kapakët e shisheve, dikujt mund t’i jepni një buzëqeshje më shumë

06.11.2017 17:09

Nëse deri tani i keni hedhur në tokë kapakët e shisheve të cilat i keni përdorur...

Nëse deri tani i keni hedhur në tokë kapakët e shisheve të cilat i keni përdorur, këtë mos e bëni në të ardhmen, sepse kapakët e mbledhur mund t’i dhurojnë dikujt shpresë dhe një mundësi më të mirë për jetesë.
 
Personat me aftësi të kufizuar janë pikërisht ata të cilët i gëzohen më shumë këtij projekti, sepse me mbledhjen e rreth 350.000 kapakëve ata fitojnë një karrocë nga Kompania “PakoMak”.
 
Ky projekt jo vetëm që ndihmon me karroca këta persona, por edhe stimulon afaristët që t’i punësojnë nëpër kompanitë e tyre. Përpjekjet kanë dhenë rezultate.
 
“Në kuadër të këtij projekti kemi angazhuar shtatë praktikantë në kompani, të cilët janë dakorduar t’i marrin për praktikë të mëtutjeshme dhe natyrisht që të punësohen në të ardhmen aty”,- u shpreh Ivana Krstevska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.
 
Nuk ka numër të saktë se sa persona me aftësi të kufizuar kërkojnë punë edhe pse në Agjencinë për Punësim janë të regjistruar 2500 persona, ata përballen me barrierë burokratike dhe stereotipa të vazhdueshëm, prandaj shumica e tyre ngurrojnë të kërkojnë punë ose nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Punësim.
 
“Qëllimi ynë është që t’i bashkojmë kompanitë me personat me aftësi të kufizuar, në anën tjetër duam që kompanitë t’i kapërcejnë stereotipat kur janë në pyetje personat me aftësi të kufizuar, përsëri rikthehemi në atë se nuk është patjetër që gjithmonë të punësohen në kompanitë mbrojtëse”,- tha Juliana Klimoska nga “Poli Plus”.
 
Në këtë drejtim kompanitë shfaqin interesim për t’i punësuar.
 
“Ne jemi me një bazë të gjerë veprimi në punën tonë dhe kemi edhe aktivitete të tilla me çka mund të punësojmë persona me aftësi të kufizuar”,- deklaroi Dimitria Bosheski nga “Deni Kompani” – Prilep.
 
Ky ishte trajnimi i tretë nga katër trajnime të këtij projekti, i cili është i financuar nga Komisioni Europian. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU