Vlahutin për progres-raportin e Shqipërisë: Lufta kundër korrupsionit, kusht për integrim në BE

06.11.2017 17:14

Lufta kundër korrupsionit është kusht për integrimin e Shqipërisë....

Lufta kundër korrupsionit është kusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Është ky qëndrimi i ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, i shprehur gjatë një takimi dedikuar progresraportit të vitit 2018.

Diplomatja e BE-së deklaroi se anëtarësimi është i nevojshëm për politikën shqiptare, por edhe për të ardhmen e Shqipërisë, ndaj dhe është me shumë rëndësi progres-raporti i vitit të ardhshëm.

“Shtetet që aspirojnë të anëtarësohen nga të gjitha sektorët kanë detyrim të raportojnë në hartimin e raport-progresit për vitin e ardhshëm. Kjo është një punë kolektive, ku e rëndësishme është bashkëpunimi mes vendeve dhe këtu janë dy sfida, por me anë të bashkëpunimit rezultatet do jenë të frytshme. Këtu evidentohet progresi i arritur deri tani, por edhe hapat që do ndiqen për anëtarësimin e Shqipërisë”,- tha Vlahutin.

Ajo solli edhe një herë në vëmendje kriteret që duhet të plotësojë Shqipëria për çeljen e negociatave.

“Korrupsioni është një nga objektivat që duhet të luftohet nga Shqipëria për të ecur përpara drejt BE. Bashkimi Europian do të mbështetë shoqërinë civile. Shqipëria duhet të plotësojë kriteret e kërkuara. Konsultimet janë pika kyçe për raportin e progresit 2018. Kemi dhënë dhe do japim mbështetje të plotë për Shqipërinë, ndaj duhet bashkëpunim politik, por dhe hapa konkrete për anëtarësimin, që ju keni nevojë”,- tha Vlahutin.

Takimi i ambasadores, Romana Vlahutin, u zhvillua në qendrën e informimit të BE-së, në kuadër të ditëve të këshillimeve publike me palët e interesuara për progres-raportin 2018. (Luljeta Ndoka, TVM2)