Maqedoni
Avokati i Popullit lëshon alarmin: shkelja e lirive dhe të drejtave të njeriut, në rritje
06.11.2017 17:41
Gjatë vitit të kaluar, liritë dhe të drejtat e njeriut janë shkelur si asnjë vit më parë...

Edhe gjatë vitit 2016, Maqedonia ka pasur institucione skajshmërisht të politizuara dhe institucione në shërbim të partisë.
Avokati i Popullit ngre alarmin në Kuvendin Republikan.
“Kemi konstatuar numër rekord, si asnjë vit tjetër, 1.523 shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut individuale”,- tha Ixhet Mehmeti para deputetëve gjatë prezantimit të raportit për vitin 2016.
Sipas tij, në 1.354 raste janë pranuar intervenimet e Advokatit të Popullit, por jo edhe rekomandimet për situatat e përgjithshme.
“Me keqardhje, ju njoftoj se në raport nuk janë konstatuar ndryshime pozitive. Përkundrazi, konstatoj stagnim, në disa fusha edhe kthim pas, që vërtetohet edhe me numrin e rritur të shkeljeve të të drejtave dhe lirive të njeriut për katër për qind. Kishim dhe ende kemi institucione të politizuara skajshmërisht. Disa prej tyre, për shkak të partizimit të skajshëm, ishin vënë në funksion të partisë”,- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Mehmeti.
Në vitin 2016, AP ka pranuar 3775 parashtresa, 37 raste i ka hapur me vetëiniciativë, ndërkaq ka proceduar 4718 raste.
Në raportin e tij për vitin 2016, Avokati i Popullit konstaton veprim policor joprofesional dhe brutal, përdorim të tepruar të forcës nga policia e burgut ndaj personave të dënuar dhe mungesë të mbrojtjes shëndetësore sistemore në institucionet ndëshkuese-përmirësuese.
AP konstaton shkelje të së drejtës së punësimit të personave me pengesa, deportimit ilegal të refugjatëve, përcaktim antiligjor të pagesës së taksës radio-difuzive, ujit dhe të të dhënave tjera komunale; tatim antikushtetues të qytetarëve, si dhe joprofesionalizëm në organet zgjedhore.
Sipas tij, edhe gjatë vitit 2016 është konstatuar se organet zgjedhore dhe të gjitha organet tjera kompetente kanë dështuar në pritjet e qytetarëve se nuk do të shkelen të drejtat e tyre zgjedhore.
SHPËTIM NUREDINI
