Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, në Çair do të ketë rreth të tretë më 12 nëntor
06.11.2017 18:00
Në komunën e Çairit më 12 nëntor do të ketë rreth të tretë të zgjedhjeve lokale...

Kështu njëzëri vendosi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila ka pranuar ankesën e Lëvizjes BESA për rivotim në vendvotimin 29/01.
“Propozim-vendimin me të cilin përsëritet votimi, që në përputhje me nenin 151, paragrafi i tretë nga Kodi Zgjedhor, përsëritet votimi nga rrethi i dytë nga zgjedhjet lokale 2017 në vendvotimin 29/01 në komunën e Çairit, i cili është anuluar me aktgjykim nga Gjykata Administrative me arsye se numri i përgjithshëm i të regjistruarve në listën e zgjedhësve mund të ndikojë në rezultatet e përgjithshme të Çairit si dhe përsëritja e votimit do të bëhet më 12 nëntor, përkatësisht 14 ditë nga dita e votimit, e vë në votim. Konstatoj se me 8 vota për dhe asnjë kundër miratohet vendimi”,- deklaroi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
Në vendvotimin 29/01 ka gjithsej 719 votues të regjistruar. Prej tyre në rrethin e dytë kanë votuar vetëm 278 persona, prej të cilëve Zeqirja Ibrahimi mori 164 vota, Visar Ganiu 98 dhe 17 vota kanë qenë të pavlefshme.
Në bazë të një simulimi të kryer është konstatuar se ka gjasa ky vendvotim të ndryshojë edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Dallimi mes Visar Ganiut dhe Zeqirja Ibrahimit pas rrethit të dytë të votimeve ishte 209 vota.
NAIM RAMADANI
