Maqedoni
Anulohet gjykimi për rastin “Trust”
07.11.2017 11:54
Është anuluar për më 14 nëntor gjykimi për rastin “Trust”, ku i dyshuar i parë është biznesmeni, Sead Koçan..

Është anuluar për më 14 nëntor gjykimi për rastin “Trust”, ku i dyshuar i parë është biznesmeni, Sead Koçan, dhe tre të dyshuar të tjerë, në mesin e të cilëve është edhe menaxhuesi i firmave “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” nga Studeniçani.
Ata dyshohen për pjesëmarrje me dokumente të falsifikuara në tenderët e Elektranëve të Maqedonisë. Seanca u anulua me kërkesë të mbrojtjes me arsyetimin se nuk është kompletuar aktakuza, gjegjësisht se ata nuk e kanë marrë listën e dëshmive.
Prokurori i PPS-së, Gavrill Bubevski, tha se PPS ka dorëzuar numër të mjaftueshëm të kopjeve të dëshmive, por Gjykata nuk e ka dorëzuar listën e dëshmive tek mbrojtja. Ai theksoi se Këshilli pranë Gjykatës Penale nuk i ka hedhur poshtë tre përgjimet e propozuara për këtë rast.
“Është normale që mbrojtja kërkon ndarjen e incizimeve për të cilat vlerëson se janë siguruar në mënyrë të paligjshme. Në këtë rast, Këshilli ka vërtetuar aktakuzën dhe nuk bëri ndarje”,- deklaroi Gavri Bubevski nga PPS.
“Bombat” nuk mund të jenë dëshmi në vete, por mund të përdoren në kuadër të dëshmive të tjera, thotë avokati Joanidis. Ai thotë se mbrojta akoma nuk e ka dorëzuar listën e dëshmive.
“Lista e dëshmive vërteton se cilat dëshmi prokurori i ka propozuar para gjykatës, ndërsa pas kësaj pason listë e dëshmive nga ana e mbrojtjes, kështu mbrojtja akoma nuk ka dorëzuar listë të dëshmive për vërtetimin e gjendjes faktike se të akuzuarit nuk janë fajtorë”,- tha avokati, Jovan Joanidis.
Sipas akuzës, të dyshuarit me dokumente të falsifikuara kanë kurdisur tenderë në ELEM në vlerë prej 17 milionë eurove. Lënda, siç publikoi PPS, është formuar në bazë të tre bisedave të përgjuara, prej të cilave dy të papublikuara në opinion.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
