Maqedoni

Avokati i Popullit ia drejton Qeverisë masat për të drejtat dhe liritë e njeriut

07.11.2017 15:36

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, do t’i propozojë Qeverisë masat për avancimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut që dje nuk kaluan në Kuvend...

Memeti kërkon nga Qeveria zbatim urgjent të masave që kanë të bëjnë me përforcimin e kontrollit të brendshme të MPB-së dhe të Prokurorisë Publike, për mënyrën e sjelljes me qytetarët, inkorporimin e nevojës për arsim të rregullt për rekrutimin e policëve, regjistrimin e fëmijëve lypsar në librin amë dhe mbrojtje më të madhe institucionale për ta, ndalesë të punësimeve në grup pa nevojë në administratë, përmirësim të sistemit “Termini im”, ndryshimi të Kodit Zgjedhor dhe kushte më të mira nëpër burgje.  
 
“Shfrytëzoj rastin që masat e Avokatit të Popullit t’ia dërgoj Qeverisë dhe njëherit do të insistoj që ajo t’i pranojë në tërësi masat e propozuara dhe me urgjencë të madhe të debatojë me përfaqësuesit e organeve të administratës për t’i realizuar të njëjtat dhe pas 6 muajve Qeveria të informojë avokatin e popullit se deri ku kanë arritur me zbatimin këtyre masave”,- u shpreh avokati i popullit, Ixhet Memeti.
 
Kuvendi më 37 vota “për” dhe 5 “kundër”, dje nuk i aprovoi masat e propozuara të Avokatit të Popullit. Memeti ka realizuar takim me grupet parlamentare dhe siç thotë ai, disa prej deputetëve janë penduar për mosmbështetjen e masave. 
 
“Unë sot isha në Kuvend dhe u takova me grupin parlamentar të BDI-së, të VMRO-DPMNE-së dhe të LSDM-së, dhe ata tani janë të vetëdijshëm se është dashur të kalojnë masat e avokatit dhe tani kanë gatishmëri që të ndihmojnë në këtë drejtim. Ata pranojnë se është dashur të votojnë masat. Ata shprehin keqardhje, mirëpo kaq”,- tha Memeti. 
 
Zyra e Avokatit të Popullit gjithashtu propozon dhe masa konkrete për komunikim më të mirë institucional me gjykatën, për mbrojtjen e mjedisit jetësor duke zgjidhur çështjen e deponive të egra dhe të ndotësve më të mëdhenj në vend. Kërkohet masa në fushën e sigurimit dhe të mbrojtjes shëndetësore dhe pensionale, si dhe propozohet të ketë mbikëqyrje më të madhe ndaj punës së Drejtorisë për të Hyrave Publike për tatimin e paligjshëm, ndalesë për përmbarim të llogarive të qytetarëve dhe hartimin e një ligji të ri për mbrojtje nga diskriminimi i çfarëdo baze qoftë ai. 
 
REXHEP QAMILI