Maqedoni
Konfederata e Sindikatave të Lira: harmonizim të pagave në sektorin publik
07.11.2017 16:32
Konfederata e sindikatave të lira shpreh pakënaqësinë e saj për planifikimin e rritjes së pagave për 5% nga buxheti i vitin 2018...

Konfederata e sindikatave të lira shpreh pakënaqësinë e saj për planifikimin e rritjes së pagave për 5% nga buxheti i vitin 2018 vetëm në shëndetësi, arsim fillor dhe të mesëm, në institucionet parashkollore dhe në sferën e mbrojtjes.
Përfaqësuesit e konfederatës kërkojnë harmonizimin e pagave në sektorin publik në pajtueshmëri me përqindjen për rritjen e pagës minimale si dhe pagesën e K15 për administratën publike.
Nëse nuk arrihet dialog me institucionet kompetente dhe nëse nuk realizohen këto kërkesa, ata nuk përjashtojnë mundësinë për grevë dhe protesta.
“Të fillojnë negociatat për rritjen e pagave në sektorin publik për përqindje që do të arrihen përmes negociatave relevante me partnerët sindikalë që do të realizoheshin me pagën e janarit për vitin 2018. Nëse këto kërkesa nuk realizohen, Konfederata dhe anëtarësia do fillojnë me përgatitjet për aktivitete më radikale”,- deklaroi Bllagoja Rallposki nga KSL.
Sipas Jakim Nedellkovit nga SAShK-u, problem shtesë janë edhe koeficientët për vendet e punës, pasi pa marrë parasysh obligimet e punës, pagat janë të njëjta.
“Tani kemi barazim të vendeve të ndryshme të punës për pagë të njëjtë. Më parë çdo vend i punës vlerësohej me koeficient për vështirësinë gjatë realizimit të punës. Tani në sektorin e mbrojtjes së fëmijëve kemi nëntë vende të punës me koeficient të njëjtë. Kjo situatë paraqet shkelje të marrëveshjes kolektive”,- tha Jakim Nedellkov nga SAShK-u.
Nedellkov njëherit kërkoi kyçjen e SAShK-ut në përpilimin e marrëveshjes kolektive në sferën e arsimit të lartë. Kanë reaguar nga Ministria e Financave, nga e cila thonë se me kënaqësi do t’i rrisnin pagat e të gjithë të punësuarve në Maqedoni, por aktualisht është paraparë rritja që e mundëson buxheti.
“Megjithatë është e qartë kahja e rritjes së pagave dhe e njëjta do realizohet në etapa. Për fillim është paralajmëruar rritje e pagave në themelet e shoqërisë, e ato janë foshnjoret, arsimi dhe shëndetësia. Në pajtueshmëri me mundësitë që ofron buxheti, hapësira fiskale për rritjen e pagave këtë vit është kufizuar”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
FLUTURA LATIFI
