Stërvitje rajonale kushtuar terrorizmit, Bejli: Maqedonia, partner strategjik i ShBA-ve; Zaev: Radikalizmi, shqetësim i përbashkët
Stërvitja rajonale “Luftëtarë të huaj terroristë: Promovim i parandalimit dhe rezistencës”....

Stërvitja rajonale “Luftëtarë të huaj terroristë: Promovim i parandalimit dhe rezistencës”, e cila sot është hapur në Shkup, ka për qëllim përforcimin dhe avancimin e qasjes në vend në luftën kundër terrorizmit dhe zgjerimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon drejt terrorizmit.
Gjatë kësaj, ambasadori amerikan, Xhes Bejli, tha se Maqedonia është një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara dhe se për 25 vjet vendet punojnë së bashku për të krijuar një demokraci të qëndrueshme. Ai tha se Maqedonia do të vazhdojë të jetë një partner i fuqishëm në luftën kundër terrorizmit dhe përhapjen e terrorizmit të dhunshëm.
“Nuk mundet vetëm Ministria e Brendshme të luftojë me keqbërësit, por nevojitet bashkëpunimi ndërsektorial në vetë Qeverinë, por edhe qytetarët mund të ndihmojnë. Avantazhi i Maqedonisë është se ai është një vend i vogël dhe të gjithë e njohin njëri-tjetrin, kështu që nëse ka ndonjë të panjohur dhe të dyshimtë në lagjen tuaj, mund të mësohet dhe zbulohet shumë shpejt dhe lufta kundër terrorizmit është pikërisht lufta kundër të panjohurës”,- deklaroi ambasadori amerikan në vend, Xhes Bejli.
Ai gjithashtu e ka përshëndetur bashkëpunimin rajonal kundër terrorizmit midis Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se asnjë shtet nuk mund i vetëm të përgjigjet në këtë problem dhe se qeveria është e përkushtuar që të krijojë një sistem efikas për luftën kundër radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit.
“Kërcënimi i radikalizmit të rritur dhe luftëtarëve të huaj është një shqetësim i përbashkët që e ndajmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ky radikalizëm kërcënon edhe stabilitetin rajonal me polarizim të kohëpaskohshëm dhe ndarjet në rajon, më shpesh ndëretnike dhe fetare. Kjo është arsyeja pse nevojitet bashkëpunimi rajonal në të gjitha nivelet”,- tha kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Stërvitja rajonale është organizuar së bashku nga Misioni i OSBE-së në Shkup, Ambasada e ShBA-së dhe Konsorciumi Partneritet për Paqe, në bashkëpunim me Zyrën e Komitetit Nacional për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit dhe do të përfshijë pjesëmarrës nga komiteti nacional, organizata joqeveritare, media, ekspertë dhe bashkësi fetare nga vendi dhe rajoni. (Besim Abdullai, TVM2)
