Botë

Trump paralajmëron Korenë komuniste: ShBA, e gatshme të përdorë forcën e plotë

07.11.2017 20:21

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi Korenë e Veriut se ShBA është e gatshme...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi Korenë e Veriut se ShBA është e gatshme të përdorë forcën e plotë ushtarake për të mbrojtur veten dhe aleatët, por shtoi se ai është i përqendruar në përdorimin e "të gjitha mjeteve në dispozicion, pa veprim ushtarak".
 
"Koreja e Veriut është kërcënim mbarëbotëror që kërkon veprim mbarëbotëror",- tha Trump në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, në Seul.
 
"Nuk mund ta lejojmë Korenë e Veriut të kërcënojë gjithçka që kemi ndërtuar",- tha Trump.
 
Ai shtoi se Koreja e Veriut duhet të ulet në tryezë dhe të bëjë marrëveshje. 
 
Phenjani, në muajt e fundit, ka testuar disa raketa balistike ndërkontinentale dhe ka kryer provën e gjashtë bërthamore. Ai ka kërcënuar me sulme fqinjët dhe ShBA-në.
 
"Shpresojmë se nuk do të kemi nevojë të përdorim gjithë kapacitetin ushtarak të ShBA-së",- tha Trump.
 
Moon tha se ai dhe Trumpi janë të gatshëm t'i japin Koresë së Veriut një "të ardhme të ndritshme" në qoftë se ky vend heq dorë nga programet e tij bërthamore dhe raketore.