Botë

Trump: Armët atomike nuk e bëjnë Phenianin më të sigurt

08.11.2017 10:43

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka tërhequr vërejtjen liderit të Koresë Veriore, Kim Jong Un...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka tërhequr vërejtjen liderit të Koresë Veriore, Kim Jong Un, që të mos e testojë vendosmërinë amerikane, duke i thënë se bota “nuk mund të tolerojë rrezikun e regjimit të papërgjegjshëm që kërcënon me shkatërrim atomik”.

Gjatë fjalimit në Parlamentin e Koresë Jugore, Trump tha se armatimet atomike, të cilat i zhvillon Pheniani, “nuk ju bëjnë juve më të sigurt, ato e rrezikojnë shumë regjimin tuaj”. “Mos na nënçmoni neve dhe mos na provoni”,- tha Trump. Presidenti amerikan është detyruar ta anulojë vizitën në zonën e çmilitarizuar, e cila e ndan Korenë Jugore me atë Veriore, për shkak të motit të keq.

Trump u largua nga hoteli në Seul të Koresë Jugore sot herët në mëngjes, por helikopteri ushtarak u detyrua të kthehet prapa, pasi në zonën ndërmjet dy Koreve ishte mjegull e dendur. Presidentët amerikanë, gjatë vizitave në Korenë Jugore në mënyrë të rregullt e vizitojnë zonën e çmilitarizuar, ku ushtarët e të dy palëve qëndrojnë matanë barrierave të betonit.

Aktualisht, presidenti Trump ka arritur në Kinë, që është shteti tjetër që ai e viziton në kuadër të turneut të zgjeruar aziatik, i cili filloi me vizitën në Japoni. Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se Trump do të bëjë presion ndaj Pekinit hezitues, për ta rritur trysninë kundër Koresë Veriore, për tërheqje nga ambiciet bërthamore.