Botë
“Paradise Papers”, zgjerohet skandali, ka edhe politikanë ballkanas
08.11.2017 12:53
Vetëm rreth 18 muaj pas “Panama Papers”, skandali i dytë i parajsave fiskale, “Paradise paper”...

Vetëm rreth 18 muaj pas “Panama Papers”, skandali i dytë i parajsave fiskale, “Paradise paper”, ka nxjerrë në dritë emra të personaliteteve të famshëm të politikës, sportit, por edhe yje të muzikës. ]
Në dokumentet e “Paradise Papers” përmendet emri i këngëtares amerikanë, Madona, e cila ka investuar shuma të konsiderueshme në një kompani offshore të pajisjeve mjekësore. Edhe këngëtarja kolumbiane, Shakira, rezulton te ketë transferuar në Maltë e Luksemburg rreth 31,6 milionë euro.
Mega skandali i parajsave fiskale ka përfshirë jo vetëm figurat më të njohura në botë, si mbretëresha e Anglisë, kryeministrin kanadez, Justin Trudea, sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, por edhe kompani prestigjioze e madje njerëz të fuqishëm të Ballkanit.
Në më shumë se 13,4 milionë dokumente financiare të zbuluara, rreth 6.000 prej tyre përmendin fjalën Greqi. Mediat greke shkruajnë se janë më shumë se 130 emra qytetarësh grekë që kanë lidhje të ngushta me politikanët vendas, pronarë anijesh dhe bankierë të fuqishëm, të përfshirë në skandal.
Në Serbi, ndërkohë, në mega skandal përmendet emri i ministrit të Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik, Nenad Popoviç. Sipas dokumenteve, ai zotëron të paktën 75 milionë dollarë asete dhe mund të jetë njeriu më i pasur i Serbisë. Ministri Popoviç mohoi të ketë zhvendosur kompani të vetën në parajsat fiskale, duke theksuar se ato janë të regjistruara në Rusi dhe Europë.
Në skandalin e “Paradise Papers” shfaqet edhe emri i kampionit të Botës në Formulën 1, Lewis Hamilton, që rezulton se ka kryer evazion fiskal prej 16.5 milionë paund, duke evituar pagesën e taksave të avionit të tij privat.
BESIM ABDULLAI
