Rasti “Fortesa 2”, 18 muaj burg Grujevskit, të tjerët dënim me kusht

08.11.2017 14:50

Një vit e gjysmë burg për Goran Grujevski, ish-shefin e DSK-së....

Një vit e gjysmë burg për Goran Grujevski, ish-shefin e DSK-së, për shkatërrim të paligjshëm të dokumentacionit nga përgjimet e paligjshme në rastin “Fortesa 2”.

Për gjashtë zyrtaret e tjera të punësuara në DSK gjykata ka shqiptuar dënim me kusht. Pesë prej tyre u dënuan me 1 vit, me kusht që veprën mos ta përsërisin brenda tre viteve, ndërsa njëra prej të akuzuarave mori dënim prej 9 muaj, me kusht mos të përsërisë veprën brenda dy viteve. Ky është aktvendimi i parë gjyqësor në rastet e ngritura nga Prokuroria Speciale.

Edhe pse PPS paraprakisht nga Gjykata kërkoi dënim maksimal për të akuzuarin e parë në këtë rast, ata u shprehën të kënaqur nga vendimi i sotëm dhe mbetet të shqyrtojnë mundësinë nëse do të ankimojnë këtë vendim.

Sipas Kodit Penal, për këtë vepër penale është i paraparë dënim më burg prej tre muaj deri në 5 vite.

“Ky dënim i gjykatës është në kuadër të pritjeve tona. Ne disa herë përsëritëm se kemi dëshmi të forta dhe kjo u vërtetua me vendimin e Gjykatës. Në këtë drejtim shprehim kënaqësi që të paktën për këtë rast drejtësia doli në pah dhe presim që ky trend të vazhdojë edhe në rastet e tjera ku PPS ka dorëzuar aktakuza”,- deklaroi prokurorja speciale, Lençe Ristoska.

Pritjet e avokatit mbrojtës në këtë rast, Lupço Shvrgovski, kanë qenë që të akuzuarit të lirohen nga akuza, andaj ai ndaj këtij vendimi paralajmëron ankesë.

“Është e qartë se me gjykatën kemi dioptri të ndryshme në shikimin e gjërave dhe mënyrën e objektit mbrojtës që mund të jetë lëndë në këtë vepër penale dhe nga këto arsye ne do të parashtrojmë ankesë në këto rrethana si dhe ato për kompetencat që thamë gjatë fjalëve të fundit”,- tha avokati mbrojtës, Lupço Shvrgovski.

Grujovski akuzohet edhe në lëndët tjera të PPS-së, “Talir” dhe Fortesa”. Ai tani është në paraburgim ekstradues në Greqi së bashku me ish-kolegun e tij nga DSK, Nikolla Boshkoski. Të dy, muajin e kaluar u arrestuan me pasaporta të rrejshme në aeroportin në Selanik gjatë tentimit që të largohen për në Budapest. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)