Ndotja e ajrit, qeveria dhe komunat me pako masash

08.11.2017 15:36

Ministria e Ekologjisë fillon me zgjidhjen sistematike për të ulur ndotjen e ajrin në vend....

Ministria e Ekologjisë fillon me zgjidhjen sistematike për të ulur ndotjen e ajrin në vend. Për implementimin e këtyre masave në buxhet parashikohen rreth 350 mijë euro.

Masat përfshijnë subvencione për pastrues të ajrit në objektet publike, leje integruese A dhe filtra për ndotësit e mëdhenj të ambientit.

“Në buxhetin e Republikës së Maqedonisë do të figurojë edhe një pikë e mjeteve për të zvogëluar ajrin e ndotur, siç janë subvencionimi i filtrave nëpër institucione, subvencionimi i pastruesve të ajrit nëpër institucione specifike, siç janë çerdhet, shkollat dhe spitalet, dhe do të vazhdojmë duke kërkuar nëpër ndërmarrjet vendosjen e filtrave ekologjikë që të mund të pajisen me lejen A integruese”,- tha ministri i Ekologjisë, Sadulla Duraku.

Kryetarët e komunave të Qytetit të Shkupit, në bashkëpunim me MPB-në, seriozisht mendojnë të përpilojnë edhe një ligj të ri me të cilin gjatë kontrollimit teknik do të kategorizohen të gjitha automjetet ekologjike dhe joekologjike, e kështu do të mund të bëhet ndalesa e qarkullimit të automjeteve që ndotin, gjatë dimrit të ardhshëm. Për momentin, Qyteti i Shkupit në varësi të shkallës së ndotjes, mendon të rrisë çmimin e parkingjeve në kryeqytet dhe pjesërisht të ulë çmimin e biletave në autobusët urbanë.

“Ashtu si do të rritet ndotja e ajrit në vend, ashtu do të bëhet rritja graduale e çmimit të parkingjeve në kryeqytet dhe ulja proporcionale e çmimit të biletave në autobusë. Ideja është të stimulohen qytetarët të shfrytëzojnë më shumë transportin urban dhe të ulim komunikacionin rrugor gjatë ditëve kur ka më shumë ajërt të ndotur”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Ngrohja e amvisërive me paleta, gazifikimi i kryeqytetit dhe stimulimi i qytetarëve për t’u kyçur në ngrohjen qendrore gjithashtu do të kontribuonte në uljen e ajrit të ndotur, thonë nga UNDP.

“Sipas hulumtimit të UNDP-së, ngrohja e amvisërive me drunj ndikon me 1/3 në ajrin e ndotur. Vetëm Qyteti i Shkupit shpenzon mbi 370 mijë ton drunj në vit, që është baraz me numrin e përgjithshëm të drunjve që ndodhen në malin Vodno dhe në këtë drejtim duhet bërë diçka”,- u shpreh Luiza Vinton nga UNDP.

Gjithsesi, ndryshimet ligjore për kategorizimin e automjeteve me ngjitëse ekologjike priten të miratohen deri në fund të këtij viti dhe të njëjtat nuk do të nxisin shpenzime shtesë te qytetarët, premton kryetari i Shkupit, Shilegov. (Rexhep Qamili, TVM2)