Reformat, Ramadani: Të gjitha partitë shqiptare të japin kontribut

08.11.2017 16:04

Qeverinë e presin shumë reforma thelbësore të cilat i ka premtuar me programin e saj....

Qeverinë e presin shumë reforma thelbësore të cilat i ka premtuar me programin e saj, prandaj duhet të mendojë për rritjen e kapaciteteve të saj dhe jozvogëlimin e tyre. Kështu vlerësuan të ftuarit në debatin televiziv “Argument” në TVM2 lidhur me përfoljet për riformatimin e qeverisë pas zgjedhjeve lokale. Në këtë drejtim kontributin e tyre mund ta japin të gjitha forcat politike të shqiptarëve, thotë analisti politik, Ismet Ramadani.

“Kjo qeveri, meqë ka marrë epitetin qeveri reformatore, me një përkrahje të madhe ndërkombëtare, e cila para vetes ka vënë detyra të rënda, të vështira, por të tejkaluara, të plotë pra. Kapacitet të plotë i japin edhe partitë shqiptare kësaj qeverie, sepse pozicionimi i tyre në këtë qeveri ka rëndësinë e vet edhe brendapërbrenda, por edhe karshi ndërkombëtarëve. Do të ishte mirë që edhe Lëvizja BESA të japë nga vetja edhe atë kapacitet që e ka, atë potencial, qoftë intelektualë, ekspertësh, potencialin politik të vet, sepse më mirë të jesh pjesë e suksesit se pjesë e dështimit”,- tha analisti politik, Ismet Ramadani.

OSMANI: TË FILLOHET NGA PËRGJEGJËSIA INDIVIDUALE

Por, reformat kryesore ku duhet përqendruar qeveria e re, sipas profesorit, Osman Kadriu, janë ato në gjyqësor. Sipas tij, deri sa të krijohet baza juridike për zgjedhje gjenerale në gjykatë, reformat mund të fillojnë me përgjegjësi individuale.

Duhet të shkohet me përgjegjësi individuale konkrete dhe me shkarkim konkret të disa pjesëtarëve të cilët nuk e ushtrojnë detyrën ose vetë janë të futur në korrupsion, a ka të tillë, ose fare, nuk e ushtrojnë detyrën, por akoma veprojnë sipas qëndrimeve partiake, politike, ndikimit, influencës me të cilën vjen në pyetje pavarësia e gjyqësorit dhe nuk kemi ne akoma gjyqësor të pavarur dhe prokurori. Aty duhet të intervenohet me shkarkime konkrete, që nënkupton përgjegjësinë individuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve”,- tha profesori universitar, Osman Kadriu.

ÇËSHTJA E EMRIT, MEHMETI: NUK DO LEJOHEN INVOLVIME TË REJA

Analistët paralajmërojnë edhe intensifikim të bisedimeve Maqedoni-Greqisë lidhur me çështjen e emrit, e cila vazhdon të mbetet pengesë për integrimin euroatlantik të vendit. Faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë involvime tjera, thotë analisti, Abdulla Memeti.

“Ka paralajmërime nga vetë z. Nimic se do të vijë me propozim të ri konkret. Disponimi nga pala greke dhe nga pala jonë, Qeveria e Maqedonisë, është në nivel të duhur. Unë shpresoj se ky problem do të zgjidhet për një kohë tani, afate të sakta nuk mund të thotë askush, por besoj se është një ndër pikat më të rëndësishme që e preokupojnë qeverinë, sepse e kemi ne ndër pengesat kryesore për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike në NATO dhe nuk do të lejojë faktori ndërkombëtar edhe një herë sikur në të kaluarën që të involvohen pastaj faktorët e jashtëm”,- u shpreh analisti politik, Abdulla Mehmeti.

Në “Argument” u diskutua edhe vendimi për rivotim në një vendvotim në Çair, të cilin profesori, Osman Kadriu, e ka cilësuar si juridik, meqë gjykata ka ardhur në përfundim se mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar, ndërkaq analisti politik, Memedi, thotë se ky vendim ishte politik sepse, sipas tij, nuk mund të jenë regjistruar parregullsi vetëm në atë vendvotim.

Analisti, Ismet Ramadani, nuk beson se rezultati do të ndryshojë bazuar në shifrat dhe dalja e votuesve nga rrethet e shkuara. (Naim Ramadani, TVM2)