Maqedoni

Fëmijët me pengesa në shikim, mësime gatimi me kuzhinierët profesionistë

08.11.2017 16:19

Fëmijët me pengesa në shikim kanë dëshira si të gjithë të tjerët. Disa prej tyre dëshirojnë të bëhen kuzhinierë...

Një dëshirë kjo që ndoshta për disa ka qenë një ëndërr në sirtar, deri tani. Në kuadër të patronatit të Shkollës për fëmijë me shikim të dëmtuar “Dimitar Vllahov”, në një bashkëpunim me Shoqatën e kuzhinierëve dhe e USAID-in, këtyre fëmijëve iu mundësua që për herë të parë të gatuajnë vetë, me ndihmën e kuzhinierëve profesionistë sigurisht. 
 
“Shoqata e kuzhinierëve të Maqedonisë dhe nxënësit e shkollës tonë bashkërisht përgatitën ushqime. Në këtë ngjarje praktikisht janë të përfshirë të gjithë nxënësit, secili me pikën e tij, apo ndonjë segment, ata kanë dëshirë që të marrin pjesë gjithmonë kur kemi aktivitete në shkollën tonë",- tha drejtori i Sh. F. “Dimitar Vllahov”, Goranço Jakimov.
 
“Ata gatuan barabartë me kuzhinierët më të mirë në Maqedoni dhe përgatitëm një tavolinë me ushqime që edhe mund të shihet se si kanë gatuar”,- u shpreh menaxheri i lokalit, Hasan Dautoviç.
 
Patronati i shkollës përfshiu si zakonisht edhe recitime e këngë, por edhe promovimin e një libri me poezi të një nxënëseje të kësaj shkolle, i cili është botuar në alfabetin BRAJ.
 
GYLTENE SINANI