Maqedoni

Statusi i UNT-së në Kuvend kaloi leximin e parë, vazhdojnë procedurat

08.11.2017 16:35

Me shumicë votash, Komisioni për Arsim në Kuvend kaloi në lexim të parë statusin e Universitetit “Nënë Tereza”...

Pas fazës së parë pason mendimi i Qeverisë, ndryshimet e kërkuara në status dhe debatet në Komisionin juridiko-ligjdhënës.
 
Statusi rregullon organizimin e brendshëm të universitetit, detyrat dhe veprimtaritë, autonominë e sigurimin e cilësisë, financimin, veprimtarinë shkencore hulumtuese, bashkëpunimin me institucione të arsimit sipëror dhe titujt shkencorë.
 
Miratimi i statusit mundëson që të zhvillohen të gjitha aktivitetet sipas procedurave të parashikuara ligjore.
 
“Me miratimin e statusit të Universitetit “Nënë Tereza” krijohen kushtet që universiteti t’i vazhdojë të gjitha aktivitetet në procedurë ligjore, siç e dini Kuvendi, si themelues me shumicë votash, miratoi statusin e Universitetit “Nënë Tereza”, me këtë akt, pra statusin, universiteti mund t’i vazhdojë të gjitha aktivitetet e parapara”,- deklaroi kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Petar Atanasov. 
 
Statusi i universitetit përcakton se Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup është institucion publik i arsimit sipëror, ku përshihen Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakulteti i Shkencave Informatike, Fakulteti i Shkencave Teknike, Fakulteti i Shkencave Teknologjike dhe Fakulteti i Shkencave Sociale.
 
FLUTURA LATIFI