Maqedoni
Buxheti 2018, Zaev: Paratë e akcizës, investime për qytetarët
08.11.2017 17:21
Buxheti i vitit 2018 është buxhet për stabilizim financiar, ka qartësuar kryeministri Zaev

Buxheti i vitit 2018 është buxhet për stabilizim financiar, ka qartësuar kryeministri Zaev, gjatë pjesëmarrjes së tij në debatin e organizuar në TVM.
Kryeministri thotë se në buxhet janë munduar që të stabilizojnë të hyrat dhe shpenzimet, duke pasur parasysh edhe shlyerjen e borxheve të prapambetura.
Premton se ekzekutivi që drejton do të jetë i kujdesshëm në marrjen e kredive dhe mungesat në buxhet do t’i mbushin përmes rritjes për 3 denarë të akcizës së naftës.
“Qytetarët duhet ta dinë se paratë që do të grumbullohen me anë të rritjes së akcizës do të shkojnë për shkolla, për kopshte, biblioteka, ku janë të parapara rreth 15 milionë euro. Do të shkojnë për zhvillim të barabartë rajonal, për investime kapitale të lidhura me komunat. Shkojnë për të punësuarit në shëndetësi, nëse duam që ata t’i mbajmë këtu duhet t’ua rrisim rrogat. Tani në buxhetin do të sigurojmë 0.7% për RTM-në, ajo i bie diku rreth 1 miliard e 200 milion euro para për RTM-në”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Ekspertët ekonomikë i vlerësuan projeksionet si reale, por thonë se nevojitet konsolidim financiar. Profesori universitar, Abdulmenaf Bexheti, tha se duhet shqyrtuar fushat në të cilat qeveria do të kursente në shpenzime. Rritja e akcizës, sipas tij, do të ketë efekt, por jo në përmasa aq të mëdha saqë thuhet.
“Tek mallrat dhe shërbimet është nënvizuar aty se kursejmë shtatë milion, por në 245 milion euro për mallra dhe shërbime, 7 milion euro nuk është shumë me të cilën duhet për t’u lavdëruar. Unë jam i bindur se ka më tepër hapësirë për të kursyer se sa ato 7 milionë euro”,- tha profesori universitar, Abdulmenaf Bexheti.
Në buxhetin për vitin e ardhshëm janë paraparë rritje rrogash në ushtri, shëndetësi dhe arsim, dhe kryeministri thotë se nuk ka mundësi të plotësohen kërkesat për rritje në sektorët e tjerë.
Profesori, Borçe Trenovski, thotë se duhet të ishte bërë një analizë paraprake se cilët sektorë kanë nevojë më të madhe për rritje të rrogave, por duhet njëkohësisht edhe profesionalizim i kuadrit. Kryeministri Zaev dha përgjigje se do të angazhohet në rritjen e efikasitetit në punë.
“Rrogat janë vetëm një segment, pra ju nuk mund të stimuloni për shembull sektorin e arsimit apo sektorin e shëndetësisë vetëm me rritje të rrogave. Duhet bërë reforma në më shumë sfera. Për shembull, në Ministrinë e Shoqërisë Informatike unë prita analizë detale në lidhje me efikasitetin, punësimin, para se të bëhet kjo masë”,- theksoi profesori universitar, Borçe Trenovski.
“Dua të theksoj se nuk e kam ndërmend ta pushoj nga puna administratën shtetërore, por nuk mund të mos them se ajo nuk është efikase dhe efektive. Dhe jo vetëm ajo, kemi administratorë që vetëm lexojnë gazeta dhe bëjnë qejf, ne duhet ta rrisim efikasitetin. Unë jam i pari dhe publikisht e them këtë se nuk mundet më një aktivist i LSDM-së apo i partisë tjetër ta shikojmë nëpërmjet gishtave, sepse efektet janë shumë të këqija, pasi edhe ai që punon do të demotivohet”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Propozim - buxheti për vitin 2018 është projektuar të jetë 211,7 miliard denarë, apo 3,44 miliard euro.
Parashihen të hyrat të kapin 193, 5 miliard denarë, deficiti buxhetor të mbërrijë në 18,2 miliard denarë, apo 2,7 % nga BPB, derisa të hyrat kapitale janë paraparë të sigurohen prej 24,7 miliardë denarë.
ERSAN PAJAZITI
