Marrëdhëniet Tiranë – Athinë, Bushati: Çështje delikate, kemi angazhim maksimal
Shqipëria duket se është në rrugë të mbarë për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull me Greqinë....

Shqipëria duket se është në rrugë të mbarë për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull me Greqinë, siç është Ligji i luftës dhe kufijtë detarë e tokësorë. Një fakt të tillë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e paralajmëroi këtë të mërkurë, teksa njoftoi edhe takimin që do të ketë në Kretë përgjatë dy ditëve.
"Është një dialog që ka vështirësi të vetat. Pikëpamjet janë të qarta. Ka çështje me të cilat jemi pranë zgjidhjes. Ky është një diskutim në një format që bota e njeh dhe e aplikon, nuk është një negociatë. Çështjet janë bërë disa herë publike si nga unë dhe nga ana e homologut grek. Për këtë vendosëm këtë dialog. Nuk diskutohet që një pjesë e çështjeve konsiderohen ende të nxehta, që kanë lidhje me çështjet konsullore, të drejtat e pakicës, roli i Shqiptarëve që jetojnë e kontribuojnë në Greqi”,- deklaroi ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Bushati tha më tej se diskutimet janë delikate, por angazhimi i palës shqiptare është maksimal.
“Problematika njihet. Kemi hyrë tani në një fazë edhe më delikate, sepse është bërë një punë e mirë, shpresoj që me vullnet të mirë një pjesë e dosjes të avancojë. Ne jemi të prirë për të gjetur zgjidhjet më të mira. Nuk mendoj se do të jetë një dialog i shkurtë. Shpreh gatishmërinë time për të vijuar këtë dialog me Greqinë”,- u shpreh ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Ministri, Ditmir Bushati, dhe homologu i tij grek, Nikos Kotzias, do të takohen këtë të premte në Kretë me qëllim për një raund bisedimesh intensive, deri në zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve. (Luljeta Ndoka, TVM2)
