Maqedoni
Kuvendi përcaktoi masat që i kërkoi AP
08.11.2017 18:00
Kuvendi përcaktoi masat për zbatimin e rekomandimeve për tejkalimin e gjendjes së konstatuar në Raportin e Avokatit të Popullit...

Kuvendi përcaktoi masat për zbatimin e rekomandimeve për tejkalimin e gjendjes së konstatuar në Raportin e Avokatit të Popullit për nivelin e sigurimit, respektimit, promovimit dhe mbrojtjes së lirive të njeriut, për vitin 2016. Ndër masat e propozuara është edhe kontrolli i jashtëm i MPB-së dhe PP-së nga AP dhe sektori qytetar.
“Sa u përket rekomandimeve për autorizimet policore, Kuvendi përcakton këto masa: të përforcohet kontrolli i jashtëm mbi punën e MPB-së dhe Prokurorisë Publike me vendosjen e mekanizmit të jashtëm për kontroll, në kuadër të AP-së me përfshirje të sektorit qytetar. Të përforcohet kontrolli i brendshëm në polici me atributet profesionalizëm dhe pavarësi për zbatim efikas dhe objektiv të hetimeve gjithëpërfshirëse dhe cilësore për të cilat kishte indicie për lëndimin e lirive dhe të drejtave të njeriut”,- tha Sonja Mirakovska nga LSDM.
“Grupi parlamentar i BDI-së edhe në votimin e kaluar ishte i përgjegjshëm dhe votoi për, jo duke demonstruar syçelësi dhe vigjilencë, por edhe respektim të institucionit AP, pse jo edhe respektim të rekomandimeve të miqve tanë, siç janë rekomandimet e Pribesë. Prandaj edhe sot ne do votojmë për këto masa”,- u shpreh Xhevat Ademi nga BDI.
Opozita, edhe pse mbështeti masat, evidentoi defektet e shumicës parlamentare. Sipas VMRO-së, shumica po humbet kohë në hartimin e ligjeve konkrete, ndërkaq BESA konsideron se raporti i AP-së pasqyron keqqeverisjen në rreth tre dekada pavarësi.
“Shumë kohë kaloi me rekomandime dhe masa, të bëhet kjo, të bëhet ajo. Koha nga propozimi i zgjidhjeve konkrete ligjore nga qeveria dhe ministritë kompetente ngec. Nuk ka material për ligjet konkrete nga gjashtë muaj deri në një vit”,- theksoi Panço Minov nga VMRO-DPMNE.
“Në raportin e AP-së mund të shihen dështimet e qeverisë prej viteve ‘90 deri tash. Masat dhe të gjitha rekomandimet të cilat i shohim te ky raport janë dështime të qeverisjes në vazhdimësi deri në ditët e sotme, duke mos përjashtuar asnjë qeverisje”,- potencoi Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA.
Miratimi i masave vjen pas pagatishmërisë për të miratuar rekomandimet e AP-së gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2016 para deputetëve.
SHPËTIM NUREDINI
