Mbështetësit e pavarësisë, protesta në Katalonjë kundër arrestimeve
Aktivistët pro pavarësisë bllokuan rrugët kryesore dhe disa linja hekurudhore në Katalonjë, në shenjë proteste ndaj arrestimit të udhëheqësve të shkarkuar të vendit...

Sindikatat e Tregtisë, që mbështesin ndarjen, bënë thirrje për një grevë të përgjithshme, por nisma e tyre nuk u mbështet nga sindikatat e tjera të mëdha.
Transporti publik në Barcelonë u kufizua në shërbimet më minimale, e nuk munguan ngërçet e trafikut, por pavarësisht vonesave të lëvizjes, dyqanet dhe bizneset e vazhduan punën si normalisht.
Tetë ish-anëtarë të qeverisë katalanase janë në burg, në pritje të procesit gjyqësor, pas referendumit të konsideruar jolegjitim nga Madridi zyrtar dhe shpalljes së Pavarësisë së rajonit të pasur autonom.
Presidenti, Carles Puigdemont, dhe 4 ministra të tjerë presin në Belgjikë për të parë se çfarë rrjedhë do të marrë fati i tyre.
Përpjekja e Katalonjës për mëvetësi e zhyti Spanjën në krizën më të rëndë politike prej dekadash të tëra, duke thelluar edhe më shumë ndasitë politike dhe kulturore, e duke detyruar një numër të madh kompanish të largonin zyrat e tyre nga rajoni.
Por, protesta tregoi se mbështetja ndaj anëtarëve të ekzekutivit të përmbysur nuk është shuar.
Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e parakohshme katalanase, me argumentin se kështu vendi mund ta kapërcejë krizën.
Votimet janë caktuar të mbahen më 21 dhjetor, por partitë pro pavarësisë nuk e arritën dot marrëveshjen për krijimin e një fronti të bashkuar, e kjo e vështirëson shumë përpjekjen e tyre për të qeverisur rajonin pas zgjedhjeve.
