Maqedoni

Rruga drejt BE-së e Ballkanit Perëndimor, Junker: Ka përparime, por nuk ka zgjerim para 2019-s

09.11.2017 12:54

Edhe përkundër përparimit në rrugën e tyre eurointegruese, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ende shumë punë para vetes...

Maqedonia duhet të miratojë ligje europiane dhe të zgjidhë problemin me Greqinë. Nga Shqipëria, BE kërkon të marrë më seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të  organizuar përmes reformave serioze në sistemin e drejtësisë. Vetëm Serbia e Mali i Zi kanë shënuar përparim.
 
Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, pranon se Maqedonia, Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë përparime në rrugën e tyre drejt BE-së. Por, sipas tij,  ritmi është i ngadaltë dhe kjo ka bërë që rajoni të jetë i zhgënjyer me BE-në.  Junker gjithsesi thekson se pavarësisht disa përparimeve të Ballkanit, zgjerimi i Bashkimit Europian nuk do të ndodhë përpara vitit 2019. 
 
“Desha të përsëris bindjen time se perspektiva për vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mbetet e hapur. Për momentin, duket e pamundur për ne të pranojmë vende të reja para vitit 2019. Por, do të doja që perspektiva europiane të shihet jo si një ftesë, por si një domosdoshmëri”,- tha presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker.
 
Mediat britanike shkruajnë se BE planifikon të kthehet në një megabllok prej 37 vendesh pas Brexit-it, duke planifikuar të anëtarësojë shtete si Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia, më pas edhe Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovën. Sipas gazetës britanike Expres, BE kërkon të ketë nën ombrellën e saj edhe Ukrainën, Moldavinë dhe Gruzinë.
 
BESIM ABDULLAI