Eurointegrimet, Dimitrov: Punojmë shumë të kapim “trenin” e BE-së; Darmanoviq: Punoni për reformat, BE vlerëson arritjet

09.11.2017 14:29

Maqedonia do të bëjë gjithçka që mundet në drejtim të reformave për integrim....

Maqedonia do të bëjë gjithçka që mundet në drejtim të reformave për integrim sa më të shpejt të vendit në BE, deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, pas takimit të tij me homologun malazez, Srxhan Darmanoviq.

Duke komentuar deklaratat nga KE, se ndër vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm Mali i Zi dhe Serbia kanë përparim më të dukshëm dhe do të integrohen në BE deri në vitin 2025, Dimtrov tha se vendi angazhohet maksimalisht për të kapur këtë “tren”.

“Do të ishte shumë mirë nëse kemi garë të reformave në rajon. Shpeshherë kemi thënë se në Ballkan, ose së bashku do të kemi sukses, ose së bashku nuk do të kemi. Në thelb, Maqedonia është me fat dhe ka dobi nga ajo që Mali i Zi përparon me sukses në rrugën e saj për eurointegrim. Do të bëjmë gjithçka që mundemi ta kapim atë “tren” dhe ta bindim Komisionin Europian që në dokumentin që do ta publikojnë në shkurt të ketë hapësirë që Maqedonia ta plotësojë atë që i ka mbetur”,- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Mali i Zi ka kaluar në rrugë të vështirë në bisedimet për eurointegrimet,  marrë parasysh peshën e prioritetit që ka ndarë për stabilitet rajonal, me qëllim që të gjitha vendet e rajonit sa më parë të integrohen në BE, tha shefi i Diplomacisë malazeze, Srxhan Darmanoviq.

“Mali i Zi ka punuar në parimin që secili vend të vlerësohet sipas të arriturave. Ky princip është  i shkëlqyeshëm për secilin vend kandidat,  për secilin vend që ka ambicie europiane dhe ky princip mund të jetë i dobishëm edhe për Maqedoninë. Reformat po zhvillohen mirë dhe përse Maqedonia mos të hyjë në rrethin e vendeve që ka përmendur eurokomisari Junker për anëtarësim të vendeve në vitin 2025. BE nuk do të mbetet me 28 vende anëtare”,- u shpreh ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srxhan Darmanoviq.

Një ndër kushtet për rrugën eurointegruese të Maqedonisë është zgjidhja e kontestit me Greqinë. Dimitrov tha se po punohet  për ndërtimin e besimit mes dy vendeve, masa këto që i hapin rrugë gjetjes së një zgjidhjeje për kontestin disavjeçar. Por, Dimitrov mohoi të ketë biseduar me homologun e tij grek për revidim të historisë. Ai tha se më dobiprurëse është që historia t’u lihet historianëve dhe ekspertëve, dhe politikanët duhet të fokusohen në zgjidhjen e çështjeve politike. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)