Inspektim “zonave të zeza” të Shkupit, gjoba për të gjithë ndotësit e ajrit
Do të përforcohen kontrollet e natës ndaj ndotësve të ajrit....

Do të përforcohen kontrollet e natës ndaj ndotësve të ajrit. Inspektorati i Mjedisit Jetësor tani e tutje me inspektorët ekologjikë të komunave do t’i inspektojnë “zonat e zeza” të ndotjes në Shkup.
Djegia e drunjve të njoma, ndezja e mbetjeve të mobileve, djegia e vajrave të ndryshëm të makinave për ngrohjen e autoserviseve dhe ndërtimet e paplanifikuara edhe këtë vit ndotin ambientin, thonë inspektorët. Paralajmërohen inspektime gjithëpërfshirëse dhe gjoba për ata që në çfarëdo forme ndotin ajrin.
“Ne tani, në bashkëpunim me kryetarin e Qytetit të Shkupit, jemi duke i koordinuar punët për bashkëpunim eventual të kapaciteteve institucionale kuadrovike me ato lokale. Jemi në pajtim të gjithë që në këtë stinë të veprojmë bashkërisht duke i kyçur edhe inspektorët ekologjikë të komunave në inspektimet tona të natës, me qëllim që të parandalojmë ndotjen e madhe të ajrit. Ekzistojnë shumë zona që duhen inspektuar në vazhdimësi”,- deklaroi drejtori i Inspektoratit të Mjedisit Jetësor, Miroslav Bogdanovski.
NDOTJA NË SHKUP, QYTETARËT: TË SUBVENCIONOHEN KOFTORËT ME PALETA
Qyteti i Shkupit në varësi të nivelit të ndotjes do të fillojë me reduktimin e komunikacionit rrugor duke rritur çmimin e parkingjeve në Shkup dhe duke ulur çmimin e biletave në autobusët urbanë. Qytetarët e anketuar nga TVM2, kryesisht mirëpresin këto masa, por thonë se duhet bërë diçka më shumë për të filluar qytetarët të ngrohen me koftorë me paleta e jo me drunj.
“Çelësi i suksesit për të ulur ajrin e ndotur qëndron në ndalesën e përdorimit të drunjve për ngrohjen e amvisërive që është problem social. Duhet subvencionuar qytetarët për të blerë koftorë me paleta dhe atëherë mund të presin rezultate”,- potencoi një qytetar.
“Mendoj që në këtë periudhë duhet të gjithë të shfrytëzojmë transportin publik dhe të përdorim biçikletat, e jo të lëvizim me vetura me shumë pak udhëtarë”,- u shpreh një qytetar.
“Nuk është aspak e mirë që të rriten çmimet e parkingjeve. Ne jemi popull dhe shtet i varfër dhe nuk kemi mundësi për më shumë shpenzime”,- tha një qytetar.
Nga Inspektorati i Mjedisit Jetësor sqarojnë se inspektimet e paralajmëruara nuk do përfshihen amvisëritë, pasi që për këtë duhet urdhëresë nga gjykata për të kontrolluar shpitë, ose të miratohet një ligj i ri me të cilin do të përcaktohen lëndët e lejueshme djegëse për amvisëritë. (Rexhep Qamili, TVM2)
