Hoyt Brian Yee: Liderët e korruptuar të mos priten në takime

09.11.2017 15:32

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee....

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, si rrallëherë i ka kërkuar Bashkimit Europian të bojkotojë liderët e korruptuar të Ballkanit.

Duke folur në Këshillin amerikan për marrëdhëniet me jashtë, ai tha se Perëndimi duhet të tregohet më i prerë ndaj liderëve të akuzuar për shkelje apo korrupsion në vendet e tyre. Sipas tij, është për të ardhur turp se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht akteve të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete europiane. Ai thotë se nëse këta udhëheqës nuk lejohen në takime dhe qarqe të caktuara dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte një ndikim pozitiv në zhvillimet e këtyre vendeve. Lidhur me reformat në drejtësi që po ndërmerr Shqipëria, diplomati i lartë tha se ka rëndësi rezultati. “Synimi nuk është që të kënaqen Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Europian, por vendosja e sundimit të ligjit, arritja e statusit të pavarësisë për gjyqësorin”,- ka theksuar Yee.