“Fortesa 2” – Xhelili: Dënime minimale për lëndë të karakterit të rëndë

09.11.2017 16:38

Shqiptimi i dënimit prej vetëm një viti e gjysmë burg për shkatërrimin e dokumentacionit....

Shqiptimi i dënimit prej vetëm një viti e gjysmë burg për shkatërrimin e dokumentacionit të përgjimit masiv dhe të paligjshëm për të akuzuarin, Goran Grujovski, dhe të tjerët, është dënim minimal, duke pasur parasysh karakterin e veprës. Kështu vlerëson ish-gjykatësi, Fadil Xhelili, sipas të cilit në këtë rast dënimet është dashur të jenë më rigoroze.

Gjithsesi, për të dënimi është një hap pozitiv meqë është i pari dënim për lëndët e ngritura nga PPS, por vlerëson se është e zakontë që kur Prokuroria kërkon dënim maksimal, të ndahet e kënaqur edhe me dënime mesatare apo dhe minimale.

“Me siguri kënaqësia e PPS-së rezulton nga ajo që është vendimi i parë ku kemi aktgjykim dënues për të akuzuarit dhe kjo me siguri ka bërë të kënaqen me këtë vendim, ndërsa sa i përket dënimit ai është minimal, konform veprës për të cilën akuzohet është dashur vendimi të jetë shumë më i ashpër. Ajo që mund të jetë pozitive është se pritet që edhe rastet tjera të kenë aktgjykime dënuese, aq më tepër kur dihet se deri tani PPS ka pasur shumë obstruksione të mëdha nga gjykatat dhe gjithmonë masat apo propozimet e PPS-së janë hedhur nga gjykatat, e tani kemi një moment të ri ku gjykatat fillojnë të reflektojnë dhe të sjellin vendime të drejta”,- deklaroi ish-gjykatësi, Fadil Xhelili.

Por, Xhelili thotë se Gjykata vazhdon të aplikojë standarde të dyfishta gjatë shqiptimit të dënimeve në gjykata. Përderisa të akuzuarit shqiptarë për thyerje të dritareve të gjykatës dënohen me 3 vite burg efektiv, një vepër e karakterit të rëndë, ajo e shkatërrimit të dokumentacionit shtetëror të përgjimit masiv dhe të paligjshëm, merr dënim minimal.

“Te shqiptarët dënimet shikohen të shqiptohen deri në maksimum, ndërsa kur janë në pyetje të akuzuar maqedonas shkohet për fat të keq në minimum. Kjo është ajo dualizmi nëpër gjykata, gjegjësisht aplikimi i standardeve të dyfishta varësisht se kush gjendet në bankën e të akuzuarve. Mendoj se kësaj duhet t’i vijë fundi dhe më në fund gjykatat ta ndiejnë se janë vetëm gjykatës që duhet të praktikojnë drejtësi dhe në asnjë formë mos të këtë ndarje në baza politike,etnike, fetare dhe racore”,- u shpreh ish-gjykatësi, Fadil Xhelili.

Deri më tani, PPS ka ngritur numër të konsiderueshëm të akuzave që kanë të bëjnë me keqpërdorim të pushtetit dhe korrupsionit. Në të shumtën e rasteve u hodhën poshtë kërkesat e PPS-së për paraburgime që dhe rezultoi me arratinë e të akuzuarit të parë në këta rast, si dhe dy rasteve të tjera të PPS-së, “Talir” dhe “Fortesa”.

Ai tani është në paraburgim ekstradues në Greqi së bashku me ish-kolegun e tij nga DSK, Nikolla Boshkoski. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)