Hahn në Tiranë: Integrimi varet nga vetingu; Rama: Shqipëria meriton të hapë negociatat
Komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, nuk jep një datë se kur Shqipëria.....

Komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, nuk jep një datë se kur Shqipëria mund të nisë çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin, Edi Rama, Hahn është mjaftuar vetëm me deklarimin se ai personalisht është i gatshëm për të dhënë një raport pozitiv për Shqipërinë. Ndërkaq, ai ka përsëritur detyrat që duhet të përmbushë Shqipëria.
“Një nga rezultatet e para që duhet të kemi për të marrë rekomandimin pozitiv është ai që njihet si procesi i vetingut, i cili sapo ka filluar dhe unë pres që rezultatet e para t’i shikojmë në fillim të vitit. Aspirata europiane duhet të jetë një objektiv kombëtar i mbështetur nga partitë politike, shoqëria civile dhe media, ndërsa përmendi edhe problemet që shqetësojnë BE-në. Kemi një histori të re për të treguar në lidhje me ecurinë, me progresin, si shembull sa i përket luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës, apo për uljen e numrit të azilkërkuesve”,- deklaroi eurokomisioneri, Johanes Hahn.
Kryeministri, Edi Rama, theksoi se shqiptarët e meritojnë tashmë familjen europiane.
“Sot jemi në kushtet kur nga njëra anë mund ta themi me plot gojën që Shqipëria meriton që të hapë negociatat për sa na takon dhe nga ana tjetër, pavarësisht si dhe qysh procesi do të zhvillohet, ne do të vazhdojmë të konsolidojmë pozicionin tonë në lidhje me këtë aspiratë të të gjithë shqiptarëve”,- u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Komisioneri Hahn do të qëndrojë dy ditë në Shqipëri. Gjatë paradites ai mori pjesë në konferencën dedikuar medias, nga ku deklaroi se “liria e medias është një vlerë thelbësore e BE-së dhe kusht i panegociueshëm për çdo vend që aplikon për në familjen europiane. Ndërsa Rama, i njohur për kritikat e shumta ndaj medias, tha se kjo e fundit duhet të jetë më e përgjegjshme. (Luljeta Ndoka, TVM2)
