Vajgel: Dialog politik dhe interaksion me PE-në

09.11.2017 19:25

Brukseli është i interesuar për ngritjen e dialogut mes aktorëve politikë në vend....

Brukseli është i interesuar për ngritjen e dialogut mes aktorëve politikë në vend dhe ndërveprim me Parlamentin Europian. Eurodeputeti, Ivo Vajgel, i cili po qëndron në një vizitë dyditore në Shkup, thotë se ka ardhur për të biseduar rreth projektit “Zhan Mone” që ka këtë qëllim.  

Vajgell, fillimisht u prit nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, për të vazhduar më pas takimet me koordinatorët e grupeve parlamentare.

“Do kishim dashur të bisedojmë për projektin Zhan Mone të Parlamentit Europian, që nënkupton ngritjen e dialogut mes lojtarëve politikë në Maqedoni dhe interaksion me deputetët e Parlamentit Europian”,- deklaroi eurodeputeti, Ivo Vajgel.

Pas takimit me kryeparlamentarin Xhaferi, Vajgel u takua edhe me koordinatorin e VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovskin, me koordinatorin e grupit parlamentar të Lëvizjes BESA, Afrim Gashin, dhe deputeten e PDSh-së, Meral Uzeiri.

Takimi me koordinatorët e grupeve parlamentare të shumicës është caktuar për të premten. Përkatësisht, në ditën e fundit të qëndrimit në Shkup, Vajgel do të takojë koordinatorin e grupit parlamentar të koalicionit të kryesuar nga LSDM, Tomisllav Tuntev, atë të BDI-së, Ejup Alimin dhe deputetin e Aleancës për Shqiptarët, Surija Rushidin.       

Detajet për vizitën dhe takimet, Vajgel do t’i paraqesë në një konferencë për shtyp, pas përmbylljes së vizitës zyrtare në Shkup. (Shpëtim Nuredini, TVM2)