Ekonomi

Buxheti 2018, Lika: Maksimum mjete në projektet për shqiptarët

10.11.2017 16:27

Zëvendëskryeministri, Hazbi Lika, ka prezantuar sot projektet shqiptare që janë tashmë pjesë e buxhetit për vitin 2018...

Lika thotë se në buxhet janë marrë parasysh edhe projektet e reja, por gjithashtu edhe borxhet e mbetura nga ekzekutivi i kaluar që duhet të paguhen dhe është punuar maksimalisht të paguhen edhe borxhet e vjetra dhe të financohen projektet prioritare. Në buxhetin për vitin e ardhshëm janë paraparë mjete buxhetore për kanalin e dytë 24 orësh në gjuhën shqipe në TVM, mjete për arsim dhe kulturë. 
 
“Televizioni shqiptar do të punojë 24 orë, janë paraparë 3 milion euro mjete buxhetore për vitin 2018, që përfshijnë edhe një kanal të tretë ku do të funksionojnë programet e etniteteve më të vogla, turqit, romët, boshnjakët, serbët dhe vllehët.  Për  Universitetin e Tetovës janë paraparë 330 milion denarë për çështje kapitale dhe punët rrjedhëse. 288 milion denarë janë ndarë për Universitetin “Nënën Tereza”, 200 milion për projektin kryesor dhe të tjerat për ndërtimin e kampusit, 600 mijë euro për UEJLN-në, që megjithëse nuk ka status publik, do të ketë mbështetje nga qeveria. Po ashtu për herë të parë në RM ka marrëveshje për themelimin e një ansambli shqiptar të këngëve e valleve, ku kemi paraparë mjete financiare në buxhet. Në Ministrinë e Kulturës janë paraparë dyfish mjete për ndërtimin e teatrit të Tetovës dhe të Shkupit, 500 milion denarë, 250 milion veç e veç, si dhe 600 mijë denarë për sallën e  shtëpisë së kulturës në Mateç të Likovës”,- u shpreh zëvendëskryeministri për implementimin E MO-së, Hazbi Lika.
 
Në kuadër të infrastrukturës që përfshin kanalizimin e ujësjellës rrugët, shkollat, çerdhet, sidomos në komunat shqiptare, është vendosur që qeveria të mbështesë të gjitha projektet me të cilat komunat do të aplikojnë, mjafton që dokumentacioni të jetë i kompletuar. Lika ka inkurajuar komunat të aplikojnë në qeveri me projektet e tyre duke premtuar se qeveria ka një koncept të ri tashmë për komunat.
 
Sa i përket projekteve në infrastrukturën rrugore, zëvendëskryeministri Lika përmendi projektet në kuadër të ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, që duhen realizuar në 4 vitet e ardhshme, por potencoi se bëhet fjalë vetëm për rikonstruim të rrugëve ekzistuese, ndërsa lista e rrugëve që do të ndërtohen të reja do të kompletohet ditët në vazhdim.
 
“Mavrovë - Zherovnicë 4 milion euro, Karpallëk - Zhelinë rikonstruim 2.5 mln euro, Shkup - Bllacë rikonstruim të rrugës ekzistuese 3 mln euro, Strugë - Qafe Thanë 3 mln euro,  Kumanovë -Opajë 1 mln euro, Nikushtak - Kumanovë 2.5 mln euro, Kërçovë – Makedonski Brod 5 mln euro, pra diku rreth 20 mln euro  parashikohen me këtë listë për rikonstruim të rrugëve”,- u shpreh zëvendëskryeministri për implementimin e MO-së, Hazbi Lika.
 
Gjithashtu mjete buxhetore janë paraparë edhe për dy institucionet që kanë të bëjnë me implementimin e gjuhës shqipe pasi të miratohet ligji në parlament, Agjencia për implementimin e gjuhës dhe Inspektorati shtetëror për mbarëvajtjen e këtij implementimi. Do të rikonstruohet gjithashtu me mjete nga IPA fondet edhe Shtëpia muze e  Alfabetit në Manastir. Sa i përket festës së Gjuhës shqipe që po afron, Lika përmendi edhe manifestimet e shumta që do të arrijnë kulmin me Akademinë solemne më 22 nëntor, që mbahet nën patronatin e Sekretariatit  për implementimin e MO-së.
 
FLUTURA LATIFI