Maqedoni
Kuvendin e pret agjendë e ngjeshur, Xhaferi: javën e ardhshme, Ligji për gjuhën
10.11.2017 17:39
Deri në fund të vitit kuvendin e pret një agjendë e ngjeshur. Të hënën në Kuvend pritet që në rend dite të vendoset sërish debati mbi Ligjin për përdorimin e gjuhëve...

Deri në fund të vitit kuvendin e pret një agjendë e ngjeshur. Të hënën në Kuvend pritet që në rend dite të vendoset sërish debati mbi Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe i njëjti të përfundojë deri të premten, njoftoi kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, gjatë një brifingu me gazetarë.
Këtë mund ta prolongojë vetëm nëse në ndërkohë kërkohet plotësimi i kabinetit qeveritar me anëtarët e rinj, përkatësisht të zëvendësohen anëtarët e kabinetit të cilët në zgjedhjet e fundit lokale garuan dhe u zgjodhën për kryetarë komunash. Bashkë me zgjedhjen e anëtarëve të ri të kabinetit qeverisës do të votohet edhe për prokurorin publik të shtetit.
Parlamenti planifikon që deri në fund të vitit të ratifikojë edhe marrëveshjen e nënshkruar për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, njoftoi Xhaferi.
Gjithashtu deri në fund të vitit edhe presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, do të shfrytëzojë të drejtën për t’iu drejtuar deputetëve për çka dy kabinetet janë në koordinim, tha Xhaferi, teksa do të ketë seancë të posaçme dhe pyetje deputetësh. Të gjitha këto mund të zbatohen para ose pas debatit që deputetët duhet ta zhvillojnë për projekt - buxhetin e qeverisë për vitin 2018.
Kreu i Kuvendit paralajmëroi se po shikohet mundësia që opozita të ketë qasje në projekt - ligjet edhe në fazën e përgatitjes së tyre para se të sillen në Kuvend, që nuk ka qenë praktikë deri më tani. Paralelisht me të gjitha këto aktivitete, një grup pune do të shqyrtojë rregulloren e parlamentit dhe mundësinë për ndryshime dhe plotësime të tij.
Ndryshe, Kuvendi ka respektuar periudhën e procesit zgjedhor dhe nuk ka lejuar që të shndërrohet në arenë për përfitime politike gjatë fushatës, tha Xhaferi. Siç njoftoi ai, gjatë vitit 2017 Kuvendi ka miratuar gjithsej 20 ligje, prej të cilave 1 me procedurë të shkurtër, 13 me procedurë të përshpejtuar, 4 me procedurë të rregullt dhe 2 ratifikime.
