Maqedoni
Memorandum-bashkëpunimi, projekt për zhvillim të barabartë rajonal
10.11.2017 18:11
Përmes një memorandum-bashkëpunimi mes Qeverisë, Ministrisë për Vetëqeverisjes Lokale dhe Ambasadës zvicerane...

Përmes një memorandum-bashkëpunimi mes Qeverisë, Ministrisë për Vetëqeverisjes Lokale dhe Ambasadës zvicerane, do të implementohet projekt për zhvillim rajonal të barabartë dhe përmirësim të kushteve për jetë për të gjithë qytetarët.
Projekti do të fokusohet sidomos në vendet rurale, të cilat sipas projektuesve janë lënë pas dore për shkak se zhvillimi infrastrukturor është përqendruar vetëm në vendet urbane.
“Ky problem është veçanërisht i theksuar në komunat rurale në të gjitha rajonet planore. Ende flasim për mungesën e infrastrukturës elementare. Ka ende vendbanime në të cilat njerëzit ecin nëpër baltë, nuk ka furnizim të duhur me ujë, fëmijët shkojnë nëpër shkolla të cilat nuk i plotësojnë as standardet minimale dhe nuk kanë kujdes të duhur shëndetësor, për çka gjithnjë raportojnë mediat”,- deklaroi ministri për Vetëqeverisje Lokale, Suhejl Fazliu.
“Për përforcim të mëtutjeshëm të kapaciteteve institucionale dhe për përgjegjësi të kapaciteteve rajonale duhet të fokusohen që mjetet buxhetore të shpërndahen sipas nivelit të zhvillimit të planit rajonal”,- tha ambasadorja e Zvicrës në Maqedoni, Zuter Tehada.
Zëvendëskryeministri për Ekonomi, Koço Anxhushev, tha se projekti do të ketë për bazë tri komponente: e para, do të përfshijë përgatitjen e një softueri ku do të paraqiten të gjitha të dhënat mbi shpërndarjen e parave nga buxheti në të gjitha planet rajonale; e dyta, përmirësimi i kushteve për familjet me kushte të rënda sociale; si dhe komponenta e tretë do të shkojë për infrastrukturën e 8 planeve rajonale.
Ky projekt kap shumën prej 3.770 milion franga zvicerane, me çka Ministria për Vetëqeverisje Lokale merr pjesë me 1 milion e 270 mijë franga zvicerane, ndërsa Zvicra siguron pjesën tjetër të grandit prej 2.5 milion franga. Projekti do të realizohet në kohë prej tre vitesh.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
