Maqedoni
PE dhe Kuvendi në një bashkëpunim të ri. Vajgëll: Thelloni dialogun dhe zbatoni reformat. Xhaferi: të gatshëm për të ndjekur rekomandimet
10.11.2017 18:39
Parlamenti Europian do angazhohet aktivisht në ngritjen e dialogut politik në vend dhe diskutimin e të gjitha çështjeve...

Parlamenti Europian do angazhohet aktivisht në ngritjen e dialogut politik në vend dhe diskutimin e të gjitha çështjeve që janë të lidhura me procesin integrues të vendit.
Përmes platformës “Zhan Mone”, PE pretendon që të ndihmojë deputetët dhe Kuvendin e Maqedonisë duke ndarë përvojat më të mira dhe ndihmën e ekspertëve të BE-së.
Platforma e re e bashkëpunimit nuk nënkupton as vazhdimin e procesit të “Përzhinës” dhe as plotësim të Raportit të Pribesë, thekson raportuesi për Maqedoninë në PE, eurodeputeti Ivo Vajgëll.
“Unë, si raportues për RM-në, pata kënaqësinë të dëgjoj për vullnetin dhe dëshirën e të gjitha partive politike për të vënë vendin në plan të parë dhe të vihen në dialog konstruktiv, që do të jetë me interes për vendin dhe qytetarët e saj. Elementi që sot po prezantojmë, në fakt është program që përgatitëm së shpejti, dhe ai është instituti Zhan Mone që do të jep mundësi për interaksion mes PE-së dhe Kuvendit të RM-së, dhe në të njëjtën kohë do t’u jep mundësi deputetëve që të hapin debat për tema të rëndësishme së bashku me ekspertë të PE-së dhe Kuvendit të Maqedonisë”,- deklaroi eurodeputeti, Ivo Vajgëll.
Vajgëll theksoi se Parlamenti Europian e mbështet zgjerimin e BE-së me vendet e rajonit të Europës Juglindore. Sipas tij, çdo vend do të çmohet sipas meritave, prandaj është me rëndësi që Maqedonia të realizojë programin për reforma, i cili do të jetë një nga kriteret dhe mundësi për të filluar negociatat për anëtarësim në BE.
Në ndërkohë, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, garantoi eurodeputetin se Parlamenti do përcjellë rekomandimet e BE-së dhe do t’i zbatojë ato në tërësi.
“Parlamenti i RM-së është i gatshëm, edhe sipas deklaratave të përfaqësuesve të partive politike, të hap procesin e dialogut të ashtuquajtur “Zhan Mone”, i cili, siç u konkludua, nuk nënkupton vazhdimin e procesit të bisedimeve që kanë ndodhur në të kaluarën në vendin tonë, në Shkup dhe rreth Shkupit, por ka të bëjë me nismën e re dhe me gatishmërinë e re të përbërjes parlamentare që në formën e dialogut të zhvillojnë të arrijnë deri te zgjidhjet e pranueshme dhe të duhura për të gjithë ne që të mund atë rekomandim reformues në të cilin jemi tani ta zbatojmë në kohë më të shkurtë”,- u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Procesi i bashkëpunimit mes PE-së dhe Kuvendit të Maqedonisë do të fillojë me një takim në Francë për të vazhduar më tej në Maqedoni apo edhe në ndonjë vend tjetër të BE-së.
Me propozim të kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, në takimin e parë mund të diskutohet rreth Rregullores së Kuvendit, Kodit Etik dhe sundimit të Ligjit me përfshirje të ekspertëve eminentë europianë.
Takimi i parë pritet të mbahet në fund të janarit të vitit 2018, në formatin kryetar Kuvendi, koordinatorë të grupeve parlamentare dhe nga një deputet nga partitë përkatëse si dhe një bashkëpunëtor nga shërbimi i tyre.
SHPËTIM NUREDINI
