Maqedoni
Reçicë, Ahmeti priti kryetarin e Ulqinit, Nazif Cungun
10.11.2017 18:57
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka pritur në takim kryetarin e Ulqinit dhe njëherit kryetar i Partisë Forca, Nazif Cungun...

Sipas Ahmetit, ky takim ka qenë i frytshëm. Ata kanë diskutuar për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me dy vendet si në aspektin e kulturës, arsimit, ekonomisë dhe politikës.
“Kam mësuar shumë mbi rrjedhat, mbi zhvillimet në Mal të Zi, me ç’rast z. Cungu - kryetar i Ulqinit, do ketë mbështetjen e plotë të të gjitha iniciativat, veprimtaritë si kryetar komune për bashkëpunim me ne shqiptarët e Malit të Zi si në fushën e kulturës, arsimit, por edhe në zhvillimet politike, sigurisht që edhe z. Cungu do të ndikojë me autoritetin e tij tek autoritet më të larta të Malit të Zi, pasi tani Mali i Zi ka një përparësi nga ne dhe është veç më anëtar i NATO-s, që do të inkurajojë autoritet andej, që të kemi një përkrahje edhe më të gjerë, që edhe ne të bëhemi pjesë e NATO-s”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kryetari i Ulqinit, Cungu, tha se bashkëpunimi mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe të atyre të Malit të Zi nuk ka munguar dhe do vazhdojë edhe më tej.
“Në rendë të parë është bashkëpunimi i shqiptarëve të Maqedonisë dhe shqiptarëve të Malit të Zi. Ne kemi nevojë për një bashkëpunim, pasi ju edhe në numër jeni shumë më tepër, mendoj në të gjitha sferat, si në sferën e kulturës, arsimit, normalisht edhe të sportit. Gjithashtu janë edhe temat që nuk mund të anashkalohen, ato janë integrimet që jemi më se të interesuar jo vetëm ne, por edhe shqiptarët e Maqedonisë”,- tha kryetari i Partisë Forca, Nazif Cungu.
Edhe Ahmeti edhe Cungu ishin të të njëjtit mendim se edhe Maqedonia edhe Mali i Zi duhet të punojnë së bashkë që në të ardhmen e afërt të jenë pjesë e familjes së madhe europiane.
VISAR SADIKI
