Maqedoni

90 vjetori i vdekjes së Shote Galicës, presidenti themelon Urdhrin “Shotë Galica”

10.11.2017 19:20

Në një akademi përkujtimore u shënua 90 vjetori i heroinës së popullit, Shote Galica...

Qerime Halili, e njohur me emrin luftarak “Shotë Galica”, u bë simbol i kontributit të heroinave të heshtura të kombit, të nënave, bijave, vajzave dhe grave shqiptare që në çdo periudhë historike përballuan të mirën dhe të keqen krahas familjes dhe kombit, theksoi me këtë rast presidentit i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka themeluar Urdhrin “Shotë Galica”.
 
“Shotë Galica është simbol i krenarisë dhe dinjitetit të gruas shqiptare. Shotë Galica është simbol i nënave, grave dhe motrave që gatuan, ushqyen, pastruan dhe shëruan luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare kudo në Kosovë e më gjerë. Shotë Galica është simbol i nënës shqiptare, i asaj nëne që lindi Shotë Galicën, Azem Bejtën, Shaban Polluzhën, Adem Demaçin, Jusuf Gërvallën, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Xhevë Lladrovcin dhe shumë e shumë luftëtarë e luftëtare, dëshmorë, heronj e heroina që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës",- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
Qemal Munxhezi tha se Shote Galica ishte bija më e madhe e kombit shqiptar, vepra e së cilës është kthyer në një legjendë.
 
“Është një personalitet që shumëkush e ka të vështirë ta përcaktojë se ku lindi Shote Galica. Ajo lindi në Drenicë, por mund të ketë lindur në Sarandë, Korçë, në Gostivar, në Strugë, në Çamëri, sepse secili mendon se kjo është pjesa ime në territorin ku un jetoj. Vepra e saj është e ngulitur thellë, është kthyer në një legjendë te fëmijët, brezi i ri dhe brezi më i rritur, dhe legjendat nuk harrohen kurrë, kujtohen me një dashuri dhe respekt të veçantë. Shote Galica i meriton të gjithë titujt që mund të ketë Shqipëria dhe Kosova”,- tha ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Munxhezi.
 
Shote Galica sfidoi edhe traditat e kohës pasi asokohe nuk u pa me sy të mirë bashkëngjitja e një femre me çetat kryengritëse, por ajo ia doli të udhëheq vet mbi 60 beteja, të marrë pjesë në kuvende politike, por edhe të bëjë pajtime dhe të dëshmojë humanizmin e saj, theksoi prof. dr. Sala Ahmetaj.
 
Por, ajo ishte kritike ndaj institucioneve shqiptare, të cilat ende nuk kanë ngritur një monument për madhështinë e figurës së saj.
 
“Pabarazia gjinore ende po na e zë frymën, sepse për madhështinë e figurës sate nuk po ka vend për ndonjë monument, as nuk po ka vend për emërtim të ndonjë institucioni kulturor shkencor ose publik kudo në Kosovë”,- tha Ahmetaj.
 
Ajo lindi në vitin 1895 në Drenicë të Kosovës. Ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare.
 
Ajo luftoi heroikisht përkrah bashkëshortit e bashkëluftëtarit, Azem Galica, për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU