Botë

Tramp: nuk do të lejoj më “abuzime kronike tregtare”

10.11.2017 21:43

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ShBA-ja nuk do të lejojë më “abuzime kronike tregtare”...

Trump iu adresua të premten Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, në Vjetnam.

Ai tha se do t’i vërë interesat e Amerikës gjithmonë të parat dhe se vendet e Azi-Paqësorit duhet të ndjekin tregti të ndershme reciproke.

“Nga sot e tutje, ne do të garojmë mbi baza të drejta dhe të barabarta. Nuk do të lejojmë më që të përfitohet nga ShBA-ja. Unë do ta vë Amerikën të parën. Kështu pres edhe nga të gjithë ju të bëni me vendet e juaja”,- tha Trump.

Krejt ndryshe nga ai foli presidenti i Kinës, Xi Jinging, i cili tha se globalizmi është i pakthyeshëm dhe shprehu mbështetje për multilateralizmin. Samiti i Azi-Paqësorit mbledh së bashku 21 ekonomi nga rajoni i Paqësorit – ekuivalente me rreth 60 përqind të bruto prodhimit botëror.

Prejse ka marrë detyrën në janar, Trump ka ndjekur politikën “Amerika e para" dhe e ka tërhequr ShBA-në nga Partneriteti Trans-Paqësor, një marrëveshje e madhe tregtare me 12 vende të Azi-Paqësorit. Trump ka thënë se kjo marrëveshje i dëmton interesat ekonomikë të ShBA-së.