"Magjiku" Rodriguez kualifikon Kolumbinë
Kolumbianët e nisën më mirë lojën duke pasur edhe posedimin e topit deri në 70% në disa raste, teksa uruguaianët vuanin nga mungesa e Suarezit…….

2 gola të James Rodriguez i siguruan Kolumbisë një fitore të madhe kundër Uruguait për t’u kualifikuar në çerek-finale të Kampionatit Botëror, ku i pret Brazili i Neymarit.
Kolumbianët e nisën më mirë lojën duke pasur edhe posedimin e topit deri në 70% në disa raste, teksa uruguaianët vuanin nga mungesa e Suarezit.
Ishte James Rodriguez (28’) ai i cili ngriti tërë stadiumin në këmbë me super volejin e tij nga distanca që e la të shtangur portierin kundërshtar, Musleran, dhe kështu i dha epërsinë e merituar skuadrës së tij. Ky ishte goli i katërt personal i këtij botërori për futbollistin e Monacos, që padyshim se është edhe goli më i bukur i botërorit deri më tani.
Gonzalez tentoi ta befasonte portierin e Kolumbisë me një vollej në minutën e 40-të, por ky i fundit ishte i vëmendshëm dhe e largoi rrezikun nga porta. Me kaq edhe përfundoi pjesa e parë. Los Cafeteros e filluan pjesën e dytë njësoj si të parën, totalisht në kontroll të posedimit të topit dhe duke e vënë Uruguain prapa në mbrojtje. Presioni i lartë në fushë në kërkim të golit të dytë iu shpërblye kolumbianëve, të cilët e ngritën epërsinë në 2-0 përmes një aksioni të mirë ekipor, ku pas një harkimi të thellë të Armeros, Cuadrado pasoi me kokë te Rodriguez i cili shënoi lehtë nga afërsia golin e tij të pestë në këtë botëror. Ndërsa, Cuadrado realizoi asistimin e katërt personal deri më tani.
Uruguai bëri disa zëvendësime duke futur në lojë lojtarë sulmues, gjë që ndikoi edhe në rritjen e sulmeve të tyre, mirëpo mbrojtja e Kolumbisë ishte shumë e disiplinuar dhe nuk u jepte aspak hapësira. Maxi Pereira pati një mundësi të mirë në minutën e 81-të, por portieri Ospina ia mohoi golin. Deri në vërshëllimën e fundit nuk pati ndonjë ndryshim në rezultat dhe kështu Kolumbia me këtë fitore kualifikohet në çerek-finale ku do të takohet me Brazilin.
