Bushati përfundon vizitën në Greqi, asnjë zgjidhje për “çështjet e nxehta”, ka afrim

12.11.2017 17:46

Bisedimet në Kretë, mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias....

Bisedimet në Kretë, mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, nuk ka prodhuar asnjë zgjidhje mbi çështjet e nxehta  që prekin dy vendet.

Megjithatë, negociatat kanë afruar palët, duke kapërcyer disa nga përplasjet e së kaluarës. Raundi i dytë i bisedimeve zyrtare është vendosur të zhvillohet në Shqipëri.

“Bisedimet përbënë një hap të rëndësishëm përpara dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet ekzistuese prej një kohe të gjatë do të vijojnë. Në dritën e këtyre zhvillimeve, u ra dakord që ministrat të takohen sërish në Shqipëri në vijim, në mënyrë që të vlerësojnë progresin e arritur dhe të vendosin për hapat e mëtejshëm konkret përpara”, thuhet në deklaratën pas takimit

Ministritë e të dy vendeve kanë publikuar të njëjtën deklaratë për mediat, ku thuhet se gjatë bisedimeve, të cilat u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, u krye një punë substanciale.

“Të dyja palët pranuan rëndësinë e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe ranë dakord për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për të arritur rezultate pozitive duke u mbështetur në vlerat dhe normat  evropiane, në të mirë të dy vendeve dhe popujve të tyre.”

Tepër e rëndësishme për Athinën zyrtare edhe formulimi i një marrëdhënieje të re për atë që quhet “marrëveshja e detit”, ku pas rrëzimit të paktit të vitit 2009, tashmë palët diskutuan nga pika zero.

Duket se palët kanë një akord për këtë çështje dhe Greqia ka pranuar të negociojë dhe të pranojë një zgjidhje të ndërmjetme, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, e cila duket se ka kënaqur Tiranën.

Shumë shpejt pritet që për këtë çështje të ketë një marrëveshje të re mes palëve. Athina kërkoi zgjidhjen e çështjes së varrezave të ushtarëve grekë, ndërsa për çështjen çame, edhe pse u bë pjesë e axhendës dhe pala shqiptare e cilëson imediate zgjidhjen, ajo greke kërkoi që të diskutohet në një periudhë të mëvonshme.

Kjo pasi palët ranë dakord që të gjendet një mënyrë me më pak ngarkesë negative dhe që çështja të jetë më e pranueshme për opinionin grek. Ministrat biseduan për tekstet shkollore dhe heqjen e ngarkesave negative në to.

Athina kërkon që të hiqen referimet për zonën e Çamërisë. Po ashtu, Kotzias ka kërkuar respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, ndërsa Bushati ngriti çështjen e heqjes së ligjit të luftës, i cili mban peng pronat e shtetasve shqiptarë dhe atyre minoritarë me shtetësi shqiptare në territorin grek.

Për këtë, palët ranë dakord se ka një zgjidhje dhe një formulë ligjore, por ajo i përket palës greke, e cila u zotua se shumë shpejt do të ketë një përgjigje. (Migena Gorenca, TVM2)